
Furtunë në doganën e Porto-Romanos në Durrës. Shtatë persona, mes tyre dy doganierë, u vunë në pranga nga Policia e Durrësit për akuzën e kontrabandës me mallrat që paguhet akciza. Arrestimi i shtetasve është bërë pas një hetimi të kryer nga Sektori Kundër Krimit Financiar, duke finalizuar me sukses operacionin policor “Siguria”. Sipas Policisë së qytetit bregdetar, të arrestuarit janë: Ylli Troplini, 50 vjeç, Artur Mustafa, 36 vjeç, të dy me detyrë doganierë të kontrollit fizik në degën e doganës Romano-Port; Selman Doçi, 43 vjeç, përgjegjës turni në doganë; Klodian Çullhaj, 35 vjeç, agjent doganor; Laurent Bega, 40 vjeç, magazinier si dhe Afrim Meçe, 38 vjeç e Pellumb Metollari, 61 vjeç, drejtues të autoboteve. Aksion i policisë për arrestimin e këtyre personave u krye në orët e para të mëngjesit të së dielës, vetëm një ditë pasi kishin kaluar kontrabandë dy autobote të mbushur me karburant. Pasi kanë marrë një sinjal se në portin e Romano-Port kanë kaluar kontrabandë dy autobote të mbushur me karburant, oficerët e Policisë të Sektorit Kundër Krimit Financiar, të ndihmuar edhe nga kamerat e sigurisë së portit, kanë bërë hetim dhe kanë dalë në përfundimin se të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy net më parë kanë kaluar kontrabandë nga porti i Romano-Port një sasi prej 41.500 litrash karburant. Të arrestuarit kanë gjetur edhe tregun për të shitur mallin. Një prej autoboteve është dërguar për në qytetin e Fierit, ku dhe është shkarkuar në një depozitat e një karburanti, ndërsa autoboti tjetër është shkarkuar në depozitat e një tjetër firme karburanti në qytetin e Shkodrës. Sipas Policisë, kalimi i autoboteve kontrabandë të mbushur me karburant është bërë në orët e vona të natës, në mënyrë që të mos binin në sy. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se personat e arrestuar ishin mbajtur nën hetim prej disa muajsh, pasi në rrugë operative kishin siguruar informacion se në portin e Romano-Port zhvillohej kontrabandë. Ndërkohë që të njëjtat burime saktësojnë se për të tjerë persona vijon hetimi, pasi dyshohet të jenë bashkëpunëtorë në ezaurimin e veprës penale, të kontrabandës me mallrat që paguhet akciza. Gjatë hetimit të kryer nga struktura Kundër Krimit Financiar rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.11.2011, gjatë orëve të natës, kanë mundësuar kalimin kontrabandë nga porti i Romano-Port një sasie prej 41.500 litrash karburant. Lënda djegëse është dërguar me dy mjete: 36.500 litra karburant janë transportuar me autobotin me targa SH 8895 D/ SH 9037 D, ndërsa 15.000 litra karburant janë transportuar nga autoboti me targa FR 0737 D, në një karburant në Fier. Drejtuesit e mjeteve pasi kanë bërë rrugën e parë ku edhe kanë bërë edhe dorëzimin e mallit, janë kthyer në Durrës për t’u ngarkuar sërish, ku dhe janë bllokuar. Sipas Policisë, për asnjë nga botet nuk ka pasur kalim ligjor të mallrave dhe nuk është regjistruar asnjë dokument në port për kalimin e karburantit.
Të arrestuar
Ylli Troplini,
doganierArtur Mustafa,
doganierSelman Doçi,
përgjegjës turni
në doganëKlodian Çullhaj,
agjent doganorLaurent Bega,
magazinierAfrim Meçe,
shoferPëllumb Metollari,
shofer
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











