TIRANE – Hajri Elezaj, bosi i “Euroil”-it, do të vijojë të hetohet nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata e Lartë vendosi dje të mos e ndryshonte këtë masë caktuar ndaj tij nga dy shkallët më të ulëta të Gjyqësorit. Biznesmeni Elezaj u arrestua më 11 mars të këtij viti, pas dyshimeve të prokurorisë për përfshirjen e tij në kontrabandën e naftës “Virgine”. Elezaj po hetohet për veprat penale të “mashtrimit”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të naftës”. Paraqitja e dhjetëra argumenteve në lidhje me problemeve shëndetësore të Hajri Elezajt dhe pretendimeve për shkelje procedurash në Apel nuk e bindën Gjykatën e Lartë për të ndryshuar “arrestin me burg” ndaj tij. Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Gani Dizdari, vendosi dje lënien në fuqi të vendimit e datës 29 mars 2011 të Gjykatës së Apelit, që la në “arrest me burg” biznesmenin Elezaj. Më herët, e njëjta masë sigurie ndaj tij u caktua edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në seancën e djeshme, përfaqësuesi i akuzës kërkoi mosndryshimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit. Mbrojtës i tij ligjoj, avokati Fatos Shanaj, kërkoi shfuqizimin e vendimit të Apelit ndaj klientit të tij. Avokati u shpreh para Kolegjit se Gjykata e Apelit kishte shkelur afatin 10-ditor të shqyrtimit të ankimeve në këtë gjykatë. “Shqyrtimi i ankimit duhet të bëhet brenda 10 ditëve nga depozitimi i akteve të dosjes në Apel. Ndërsa aktet janë depozituar më 18 mars 2011, Gjykata e ka shqyrtuar atë më 29 mars”, u shpreh avokati. Njëkohësisht, avokati pohoi para gjykatës një sërë problemesh shëndetësore të të dyshuarit Elezaj. “Qëndrimi i tij në Spitalin e Burgut është i pamundur, pasi i nevojitet ndihmë shumë e specializuar mjekësore”, tha avokati. Elezaj akuzohet për përfshirje në kontrabandën e naftës “Virgine”, ku sipas prokurorisë, në përiudhën 2007-2009, një sasi prej afro 17 mijë tonësh naftë “Virgine” është hedhur në treg me dokumente të falsifikuara, si naftë e përpunuar. ar.ba











