Të gjithë tregtuesit, me shumicë apo pakicë të karburanteve dhe lëndëve djegëse në të gjithë vendin, do t’i nënshtrohen një kontrolli të ri. Ky kontroll parashikohet që të zgjasë një muaj dhe vjen me një urdhër të ri të ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, në kuadër të rritjes së mbikëqyrjes në tregun e hidrokarbureve. Plot 44 tregtues me shumicë dhe 909 stacione të shitjes me pakicë do të kontrollohen nga grupet e punës të Inspektoratit Qendror Teknik dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Dy do të jenë synimet e këtij kontrolli: përmbushja e standardeve të cilësisë për karburantet që tregtohen në vend, si dhe ulja e masës së abuzimit me sasinë që u shitet konsumatorëve. Urdhri i ri i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës synon zbatimin e kërkesave dhe detyrimeve ligjore për plotësimin e standardeve të kërkuara të cilësisë dhe sasisë së karburanteve dhe lëndëve djegëse që tregtohen nga ana e operatorëve të këtij tregu. Në një njoftim për shtyp, METE bëri dje të ditur edhe mënyrën se si do të organizohet puna në këtë nismë të re. “Sipas urdhrit të ministrit të METE-s, Nasip Naço, grupi i përbashkët i punës do të paraqesë çdo 10 ditë një raport me rezultatet e këtij kontrolli, mbi bazën e të cilit do të merren masat përkatëse në funksion të përmirësimit të tregut të hidrokarbureve”, thuhet në njoftim. Ndërkaq, Inspektorati Qendror Teknik është duke zhvilluar paralelisht kontrolle te prodhuesit. Së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, IQT synon që të arrihet respektimi i plotë të kërkesave ligjore nga shoqëritë që operojnë në fushën e prodhimit të naftës bruto mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure, për të zbatuar korrektësisht këto marrëveshje dhe për të mos lejuar në asnjë rast tregtimin e prodhimit të tyre jashtë destinacionit ligjor e teknik.











