Nacionalizmi në shërbim të marrjes së pushtetit

Jan 21, 2012 | 12:22

KOSTA BARKA

Jemi në realitetin e vitit 2012, një vit me peshë të veçantë në trajektoren historike të Shqipërisë. Duke parë prapa në kohë nga kjo lartësi, ndeshim jubileun e njëqindtë të shtetit shqiptar. Harrojmë peripecitë dhe prapësitë e këtij rrugëtimi dhe evidentojmë vetëm faktin e jubileut me një krenari festive të ligjshme. E shkuara pranon dhe pret kurora e lule. Duke parë horizontin e së ardhmes nuk mund të mos kuptojmë se ka një dallim thelbësor midis tyre.

E ardhmja as është e shtruar me lule e as na pret me dafina. Kërkon punë, përkushtim, sakrifica dhe këmbëngulje për të arritur kohën e humbur dhe për të ecur me hapin e popujve të tjerë europianë. Lëviz në dy shina, njëra afatshkurtër ose afatmesme dhe tjetra afatgjatë. Që do të thotë. E para lidhet me mbylljen e ciklit të stërgjatur të tranzicionit, veçanërisht në aspektin politik, stabilizimin ekonomik me objektiv imediat shmangien e pasojave të krizës globale dhe funksionimi perfekt i shtetit ligjor në të gjitha fushat. E dyta lidhet me aspiratën e të paktën 20-vjeçarit të fundit të popullit shqiptar, integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Kjo mendoj unë përbën në vija të trasha realitetin e së shkuarës dhe strategjinë e së ardhmes, ose realpolitikën për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, dhe veçanërisht për klasën politike dhe për inteligjencën e vendit. Duket se maxhoranca qeverisëse është orientuar me kohë në këtë strategji për vendin, e përdor pushtetin, pavarësisht nga vështirësitë objektive, në funksion të këtij qëllimi dhe tregon vullnet e bindje për arritjen e objektivave të saj. Më së shumti beson se kjo strategji i ka të gjitha mundësitë për të zgjidhur edhe problemet e karakterit etnik apo kombëtar. Ndryshe nga maxhoranca, opozita tregon se primare për të mbetet marrja e pushtetit me çdo mjet. Duke parë se nuk mund të konkurrojë profilin e qeverisë në objektivat europianë për vendin, që përbëjnë faktikisht realpolitikën e kësaj maxhorance qeverisëse, kërkon ta konkurrojë atë me një populizëm nacionalist, që të çon në shekullin XIX. Kjo skemë e opozitës abuzon keqas me një ambicie historike të popullit shqiptar dhe pa menduar për dëmin që i bën perspektivës historike të shqiptarëve, u ofron atyre një strehë nacionaliste të stërkapërcyer me qëllimin e vetëm të grumbullojë vota për marrjen e pushtetit. Kjo kundërstrategji na shfaqet si një spektër opozitar me tri pole kryesore. Poli i parë është ai i partisë më të madhe opozitare. Streha nacionaliste që ofron PS-ja shfaqet si përpjekje për rregullimin e imazhit të vet patriotiko-kombëtar. Poli i dytë ka për bazë të ashtuquajturën Aleancë Kuq e Zi dhe kokë drejtuese nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiun. Fakt është se nacionalizimi i tij nuk ka një bosht a platformë kombëtare. Aq më pak të përputhur me vizionin e sotëm europian. Konsumon pa hesap parulla nacionaliste të nxjerra kryesisht nga sirtarët e periudhave të shkuara, që e tejkalojnë populizmin bajat e banal dhe i kundërvihen hapur frymës europiane. Deklarimi i Spahiut se së shpejti po kthehet në parti politike, vërteton se në Shqipëri çdo lëvizje e promovuar si shprehje e shoqërisë civile (madje edhe kur bëhet fjalë për lëvizje të karakterit etnik) ka si synim politikën si mjet për të marrë pjesë në punët e shtetit. Aq më keq për rastin konkret, kur një lëvizje me karakter të deklaruar etnik po kthehet në parti me qëllim për të marrë pushtetin. Poli i tretë i këtij spektri është partia në pritje e Bamir Topit. Streha nacionaliste e saj mbulohet nga petku i Aleancës së vartësit të Topit në KLD, të cilit asnjëherë nuk i tërhoqi veshin për paudhësinë antikushtetuese të tij, të marrjes nëpër këmbë të funksionit shtetëror për të promovuar te vetja mbrojtësin e kombit. Po ashtu, disa lëvizje të Presidentit aktual të Republikës, sidomos jashtë vendit, duken se kishin një koordinim me Spahiun e Aleancës Kuq e Zi. Pra, një amalgamë ideologjike nga ekstremi në ekstrem, ka hedhur mbi vete me mënyra të ndryshme flamurin e shqiptarëve për të marrë pushtetin politik. Kjo Aleancë, për marrjen e pushtetit me çdo mjet, beson shumë dhe investon shumë te praktika e njohur se vështirësitë ekonomike krijojnë terren pjellor për të shkarë në nacionalizëm ekstrem. Karakteristikë tjetër e kësaj Aleance nacionaliste për pushtetin është se aktivitetin e saj primar e ka jashtë kufijve të shtetit, në diasporën shqiptare dhe veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi e në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në këtë rajon është e vërtetë se gjen terren për të vepruar e pasur “sukses”. Por kjo paraqet rrezikshmëri jo thjesht se ajo kërkon të importojë nacionalizmin e vjetruar në Shqipëri nga jashtë kufijve shtetërorë, porse zgjedhja e këtij rajoni me plagë ende të hapura nga përplasjet e fundit etnike për veprimtari nacionaliste mbarëshqiptare duket se provokon rendin e afirmuar nga ndërkombëtarët dhe vë në dyshim absolut imazhin e Shqipërisë si një vend që prodhon stabilitet në rajon e me perspektivë europiane. Drejtuesit e këtyre tri poleve, Spahiu, Rama e Topi, i pamë në Shkup e Kosovë me një tendencë të hapur për t’i trajtuar këto vende si Meka të shqiptarizmës, ku merret certifikata e vlerësimit të etnicitetit të çdo politikani. Ishin pikërisht këto lëvizje që e detyruan Sali Berishën të shkojë me urgjencë pas tyre atje me mision jo të Kryeministrit të Shqipërisë, por të Presidentit të shqiptarëve, për t’u kumtuar qartazi të gjithëve se rruga e vetme për të realizuar aspiratat kombëtare është rruga e integrimit në Bashkimin Europian. Nacionalizmi i vjetruar, u tha Berisha, mbart rreziqe po aq të vjetra e të njohura për Shqipërinë. Karakteristikë tjetër e nacionalizmit të kësaj Aleance për pushtetin është riciklimi i arsenalit nacionalist të shekullit XIX, ose formulën kundër fqinjëve, sidomos ndaj Greqisë, për t’i parë ata si armiq permanentë ndaj integritetit të shtetit shqiptar. Është fat për Shqipërinë që në Europën e Bashkuar nuk na marrin seriozisht. Ndryshe do të ishte e vështirë që Europa të besonte se Shqipëria dhe shqiptarët e kanë seriozisht se duan të integrohen në Bashkimin Europian kur jetojnë në realitetet historike të gati dy shekujve më parë. Akoma edhe fqinjët, dhe veçanërisht Greqia, bëjnë mirë që nuk e marrin seriozisht këtë nacionalizëm sa arkaik, aq edhe foshnjor, për arsye se vendit do t’i imponohej një vetizolim. Praktikisht, presioni i kësaj klime nacionaliste dha rezultatet e veta në disa momente kyçe bashkëpunimi me Greqinë, por që në fund të fundit dëmtojnë vetëm Shqipërinë. Për shembull, arritja e Marrëveshjes së ujërave në Jon do t’u krijonte mundësinë të dyja vendeve për të përfituar nga shfrytëzimi i dyanshëm i ngushticës joniane, sa të pasurisë nënujore, aq dhe të mundësive përfituese sipërfaqësore. Greqia, e detyruar edhe nga kriza që përballon, do ta shfrytëzojë nënujin e saj. Po gjen edhe aleatë të fuqishëm për këto projekte. Shqipëria është e papranueshme të kënaqet me nacionalizmin. Po ashtu, për gati dy dekada në Shqipëri hapej dhe mbyllej fushata mediatike e politike se Greqia për qëllimet e veta (të lidhjes me autoband të Portit të Igumenicës me Selanikun dhe dalje në Detin e Zi), po dëmtonte ndërtimin e Korridorit 8. Zhurma e amplifikuar për të joshur nacionalizmin e sëmurë ishte krejt pa baza. Greqia jo vetëm po e mbaronte projektin e saj kur fushata antigreke po kulmohej në Shqipëri, porse ky projekt kishte filluar para se Greqia të hynte në Bashkimin Europian dhe para se Shqipëria të kishte rrëzuar sistemin komunist kishte siguruar gjithë financimin e BE-së. Demi që iu bë Shqipërisë ishte fakti se po vononte përfitimet donatore për ndërtimin e aksit Veri–Jug, që lidh Shqipërinë me Europën Qendrore, ose e ndihmon Europën të dalë më lehtë në portet e Adriatikut, të Jonit, të Egjeut e të Detit të Zi, bosht të cilin e ka marrë përsipër dhe e realizon sot kjo maxhorancë drejtuese e vendit. Së fundi dua të theksoj se klasa e kuadrove dhe intelektualëve në vend ose ndjehet e tulatur nga pesha e këtij presioni nacionalist, ose ndjehet mirë dhe me heshtjen ose mosheshtjen e vet e ndihmojnë të gëlojë. Ndërkohë që i takon kësaj klase t’u prijë edhe politikanëve e shtetarëve në strategjinë e së ardhmes së vendit, dhe jo të ndihmojë ata që duan të ikin para, por me kokën të kthyer prapa, në të kaluarën.

* Deputet në Parlamentin Shqiptar

© Panorama.al

Te lidhura