Dje pasdite, në “Niko Dovana” të Durrësit, është zhvilluar ndeshja e parë e “play-out”-it mes Shkumbinit e Mamurrasit. Janë luajtur 120 minuta emocionuese, pas të cilave është përcaktuar skuadra, e cila do të qëndrojë dhe për sezonin e ardhshëm në mes më të mirave të futbollit shqiptar. Pjesa e parë ka qenë nën nivelin mesatar, sepse peqinasit e kishin marrë këtë ndeshje me mendjemadhësi dhe jo vetëm kaq, por dukeshin të çuditur me veten se si ka mundësi që ishin ata në këtë përballje. Mamurrasi ka ngacmuar me Gjokenë, Ivanajn dhe Mziun, por në fund të pjesës së parë, 0-0. Në pjesën e dytë, peqinasit e kanë nisur me presing, por gjithsesi mbrojtja e Mamurrasit dhe portieri Myrto, e kanë zmbrapsur këtë sulm të bardhekaltërve. Ndeshja është acaruar në të 70-ën minutë, kur Peza i ka dhënë kartonin e dytë të verdhë kapitenit Ivanaj, që më pas është kthyer i kuq. Për shtatë minuta, mamurrzakët janë larguar nga fusha dhe në fund janë rikthyer në lojës. Goli i peqinasve ka ardhur në të 93′, me autor Mustafajin. Por, në fund të shtesës së dytë, Allmeta i ka shkaktuar drithërima peqinasve, sepse ka goditur traun. Përfundimisht, 1-0 për Shkumbinin, që mbijeton në Superiore.











