Mustafa: Qeverinë mund ta rrëzojmë nesër

Jan 29, 2012 | 10:09

PRISHTINE- Kreu i LDK-së, Isa Mustafa,  në një interviste për “Kohën Ditore” është treguar autokritik për rolin që është duke luajtur opozita në Kuvend. Ka treguar arsyet e mosarritjes së unifikimit të zërit opozitar dhe për përgjegjësinë që mban opozita karshi mënyrës se si qeveriset sot Kosova. Është dukur i sigurt kur ka dhënë vlerësimin se qeveria do të mund të shkarkohej sikur opozita të jetë unike.

“Ne mundemi nesër ta rrëzojmë Qeverinë, në qoftë se bëhemi bashkë opozita, se kurrkush nuk i ka garantuar Hashim Thaçit që mund të mbetet, ose Qeveria e tanishme, kjo pozitë, deri në vjeshtën e 2013-s”, ka thënë Mustafa në këtë intervistë.

Por, sipas tij,  aktualisht duhet përqendruar në procesin e reformës për zgjedhjet presidenciale dhe ato nacionale.

Mustafa ka thënë të mos ketë pretendime për të kandiduar për postin e presidentit, zgjedhja e të cilit, sipas tij, do të bëhej edhe në 2013-n nëse nuk pastrohen listat zgjedhore dhe nuk garantohet pjesëmarrje e mjaftueshme e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ka folur edhe për zgjedhje nacionale. Nuk e ka përjashtuar mundësinë se në to do të mund të hyjë si koalicion parazgjedhor me AAK-në, apo edhe me ndonjë parti tjetër. E, ajo për çka ka garantuar është se, kandidati i LDK-së do të bëhet kryeministër në rast se ky subjekt politik do të jetë në Qeveri.

© Panorama.al

Te lidhura