“Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe, gafë e rëndë”- Salianji reagon ndaj Berishës: Kushtetuta e PD nuk ka “vetpërjashtime”

Jan 16, 2026 | 18:51

Pas deklaratave të bëra pak më parë nga Sali Berisha, Ervin Salianji ka reaguar publikisht, duke theksuar se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, e miratuar me votë nga anëtarësia.

salianjii

Salianji e cilësoi mungesën e seriozitetit ndaj demokratëve që mendojnë ndryshe si një gafë të rëndë, ndërsa nënvizoi se të gjithë pjesëmarrësit në takimet e tij janë “demokratë 24 karat” që meritojnë respekt dhe mirënjohje.

Ai deklaroi se Partia Demokratike ka nevojë për qartësi dhe bashkim për t’u bërë fituese, duke e konsideruar këtë një borxh ndaj demokratëve pas 13 vitesh opozitë dhe një pritshmëri të gjithë shqiptarëve që kërkojnë rotacion politik.

Salianji theksoi se do të vijojë të përfaqësojë pa ndalim shqetësimin e demokratëve për bashkim, dinjitet dhe një PD fituese, duke paralajmëruar takimin e radhës të dielën në Lezhë.


Postimi i Ervin Salianjit:

Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë! Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe është një gafë e rëndë. Të gjithë pjesëmarrësit në takimet e mia janë demokrat 24 karat. Meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.
Partia Demokratike ka nevojë për qartësi. Partia Demokratike ka nevojë të bëhet fituese.
Këtë ja u ka borxh demokratëve, pas 13 vitesh opozitë. Kjo është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve që duan dhe presin rotacionin.
Bashkimi i demokratëve dhe i gjithë opozitës rreth saj duhet të jetë përpjekja më serioze për ta bërë Partinë Demokratike fituese.
Ky qëllim është i parashikuar qartë në statut dhe më përgjegjësi në rast humbjeje dhe privilegje në rast fitoreje. Kushtetuta e demokratëve nuk ka as “vetpërjashtime”.
Do vazhdoj të përfaqësoj pa ndalim dhe me gjithë sa kam shqetësimin real të demokratëve! Vullnetin e tyre për bashkim, për dinjitet dhe për një Parti Demokratike fituese.
Shihemi të Dielën në Lezhë
© Panorama.al

Te lidhura