Mundësit Baro dhe Prizreni, një bursë olimpike përgjysmë

Nov 18, 2011 | 12:34
Mundesi Sahit Prizreni merr flamurin nga Presidenti Topi

Ky ka qenë vendimi i së enjtes i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), pasi Federata Shqiptare e Mundjes kërkoi kalimin e bursës nga Baro tek Prizreni. Fillimisht, KOKSH ia akordoi bursën Baros, pasi ky bënte pjesë në federatën e mundjes, që njihej nga olimpikët, ndërsa pas unifikimit të mundjes, për 3 muaj bursa ishte e të dyve, deri në kampionatin botëror të mundjes, zhvilluar pak javë më parë.
KOKSH, sipas informacionit që jep vetë, kërkoi nga federatat e ndryshme që të koordinoheshin sa më mirë, në mënyrë që sportistët të përgatiten maksimalisht për Lojrat Olimpike Londër 2012. Në takim ishin federatat, që përfitojnë nga programi i bursave olimpike, si ajo e atletikës, çiklizmit, mundjes, peshëngritjes dhe xhudos. Pasi u përgëzua FSHP për kualifikimin e 4 peshëngritësve (meshkuj) për në Londër 2012, u mor edhe vendimi se bursat olimpike nuk do të jepen më, si para në dorë, por do të përdoren për t’u stërvitur në qendra stërvitore të specializuara. Nga Komiteti Ekzekutiv u pranua propozimi i bordit të Akademisë Olimpike Shqiptare (AOSH) për të caktuar drejtor z.Përparim Ferunaj. Po ashtu, java e basketbollit në olimpikun special do të zhvillohet në Elbasan, në datat 18-22 nëntor, ndërsa kurset për administratorë sportivë lokalë kanë në program kursin që do të mbahet në Burrel, në datat 7-9 dhjetor.

© Panorama.al

Te lidhura