Muka, “asi” i Tiranës për Ligën e Europës

Jul 7, 2011 | 10:40
Devi Muka (majtas) në një dyluftim

Devi Muka pritet të kthehet te Tirana.Kapitenit i është bërë një ftesë nga ana e presidentit të klubit, Refik Halili, për ndeshjet e Kupave të Europës, por deri më tani Muka as nuk e ka mohuar një rikthim dhe as e ka konfirmuar.
Mësohet se Halili i ka kërkuar Mukës që të rikthehet për dy arsye: së pari për të bërë të mundur sjelljen e një fryme pozitiviste në grupin aktual, ku mungon totalisht një lider, dhe së dyti, për të dhënë një kontribut për bardheblutë në turin e dytë të Ligës së Europës, kjo edhe për faktin se Muka është një ndër lojtarët më me shumë eksperiencë në Kupat e Europës.
Kapiteni – Muka ka kaluar një sezon më shumë jashtë fushës te Tirana aq sa në fazën e tretë nuk luajti asnjë ndeshje, teksa bardheblutë i drejtonte kroati Misho Kërstiçeviç. Zyrtarisht u tha se kapiteni ishte i dëmtuar, por faktikisht lojtarit i kishte humbur dëshira për të luajtur futboll, ndaj u mor më së shumti me biznesin e tij privat. Kështu, për sezonin e fundit 2010-2011, Devi Muka ka sigluar vetëm tetë ndeshje me Tiranën, nga të cilat gjashtë herë është zëvendësuar dhe vetëm dy herë ka qëndruar për 90 minuta në fushën e lojës. Ndërkaq, ai ka shënuar vetëm një gol, (03/10/2010: Skënderbeu-Tirana 2-1) duke marrë edhe tre kartonë të verdhë. Takimi i fundit ishte ai i 6 shkurtit të këtij viti në stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Besës (0-0), i cili solli edhe shkarkimin nga posti të trajnerit, Nevil Dede. Nga ai moment, Muka nuk shkeli më te Tirana, veçse në prezantimin e Kërstiçeviçit, disa ditë pas kësaj ndeshjeje dhe në prezantimin e trajnerit spanjoll, Hulian Rubio, para dy javësh.
Rikthimi – Megjithëse nuk ka bërë asnjë ditë stërvitje gjatë kësaj kohe, te Tirana besojnë se një rikthim i Mukës do të ishte frytdhënës. Sipas drejtuesve, Muka është një lojtar i veçantë, të cilit i mjaftojnë shumë pak ditë për të kapur formën dhe për të zbritur në fushë për të paktën 45 minuta lojë. Nga ana tjetër, duke parashikuar që me shumë gjasa kundërshtari i Tiranës në turin e dytë të Ligës së Europës do të jetë skuadra sllovake e Spartak Trnava, një rival mjaft i fortë, të paktën teorikisht, eksperienca e Mukës do të ndihmonte mjaft bardheblutë në arritjen e kalimit të turit. Ndërkaq, të kontraktuar nga gazeta “Panorama Sport”, drejtuesit e Tiranës nuk e kanë fshehur dëshirën e rikthimit të kapitenit, paçka se janë skeptikë nëse Muka do ta pranojë këtë ofertë. Nëse kjo gjë do të ndodhë, atëherë fantazisti i Tiranës do të ishte “asi” i bardhebluve për Ligën e Europës dhe do të federohej deri 24 orë para ndeshjes së 14 korrikut. Sipas rregullores së UEFA-s, çdo skuadër pas listës së federimeve, të cilën është e detyruar ta dërgojë në UEFA që tetë ditë para takimit (dje ka qenë afati i fundit), ka të drejtë që të federojë edhe një lojtar të fundit po jo më larg se 24 orë nga fillimi i ndeshjes, pra deri pasditen e 13 korrikut.

Federohet keniani Situma

Megjithëse klubi bardheblu pati kryer të gjitha detyrimet konform rregullave të UEFA-s, nëpunësit e FSHF-së nuk lejonin federimin, pasi nuk vinte konfirmimi nga Kenia. Në fund u qartësua se problemi qëndronte në vendin afrikan, ku mungonte interneti dhe homologët kenianë nuk u kishin konfirmuar atyre shqiptarë kalimin e lojtarit, edhe pse Tirana këtë gjë e kishte vërtetuar me dokumente pranë FSHF-së.

Eleandro Pema

Eleandro Pema mund të jetë blerja e radhës së Tiranës. Lojtari, i ndodhur me pushime në Shqipëri, i është vetofruar bardhebluve duke kërkuar që të rikthehet te kjo skuadër, me të cilën ka luajtur dy herë më parë në dy sezone të ndryshme. Aktualisht, sulmuesi 26-vjeçar aktivizohet në kampionatin azerbajxhanas te AZAL Baku. Sipas informacioneve, mësohet se lojtari është gati të zgjidhë kontratën me këtë ekip, kjo nëse Tirana do t’i ofrojë një kontratë. Midis tij dhe drejtuesve të Tiranës kanë nisur tashmë bisedimet, por për momentin nuk ka pasur ende një përgjigje.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura