Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit ka folur për Sky, pas dënimit me 5 vjet e 4 muaj burg, për Calciopolin: “Unë shpresoj në drejtësi. Duket sikur kam luajtur i vetëm, por nuk është kështu. Ne jemi në raundin e parë, një vendim tashmë është marrë nga drejtësia italiane. Natën e kaluar nuk doja të flisja, sepse kam nevojë për t’i rishikuar gjërat më mirë. Patjetër do ta apeloj dënimin prej 5 vitesh e 4 muajsh burg, duke shpresuar se nuk mbaroi këtu drejtësia. E kam fjalën për drejtësinë e vërtetë, ose drejtësinë hyjnore. Do ta vijoj betejën me ata që kanë lënduar shumë njerëz. Ndihem mirë, kam luftuar për të gjithë ata, që janë shkatërruar nga ky proces. Me paqen e mendjes, qysh herën e parë kuptova se nuk kishte asgjë të konsiderueshme. Unë kam për ta mbajtur ndezur këtë luftë, në qoftë se Perëndia do të më japë forcë. Do të bëj gjithçka për të provuar të kundërtën e asaj që është thënë e shkruar për Calciopolin, në akuzat karshi meje dhe punës sime si ish-drejtor i Juventusit. Për mua është e qartë se tani duhet të punoj në të gjitha aspektet, sepse Apeli ka për të dhënë një rezultat ndryshe. Unë jam i bindur për këtë.”
© Panorama.al












