Moti i keq, probleme në akse rrugore e porte

Jan 25, 2012 | 9:49
Foto Ilustruese

Ulja e temperaturave, shoqëruar me reshje bore në shumë zona e me reshje të dendura shiu në të tjera ka risjellë problemet me qarkullimin në një sërë aksesh të vendit dhe ka penguar punën në porte.

Mëngjesin e sotëm, ka pasur vonesa më mbërritjen e trageteve në portin e Durrës, për shkak të detit të trazuar e dallgëve të mëdha.

Kapiteneria ka bërë me dije se forca e dallgëve është 6 ballë dhe për shkak të problemeve në lundrim ende nuk ka mbërritur në port trageti i linjës Bari-Durrës.

Probleme ka në qarkullimin në zonat që janë zbardhur nga bora. Kështu në qafën e Llogarasë në Vlorë policia udhëzon përdorimin e zinxhirëve në rrota, pas të cilët qarkullimi është i pamundur. Probleme ka edhe ne akset Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Peshkopi.

Ndërkohë, shumë komuna në zonat e thella si Lurë, Kalaja e Dodës, Trebisht, Ostren, Zapod, Topojan, Grykë-Cajë, Arren, Bushtricë, Margegaj dhe Lekbibaj janë te izoluara nga bora.

© Panorama.al

Te lidhura