
Shiriti pritet nga 4 personalitete. Berisha: Është kryevepër. Thaçi: Një dekadë nga telat me gjemba.
Morin, kufijtë lidhen me autostradë
Përfundon gjyma e rrugës së re drejt Prishtinës, “Ibrahim Rugova”
NGA VËRMICA, JONUZ HALLAÇI
Mijëra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, kanë sfiduar të ftohtin dhe janë bashkuar pikërisht aty ku janë ndarë prej dekadash, në kufi, në Vërmicë.
Shteti më i ri në botë, Kosova, i është bashkangjitur dje me autostradë trungut të familjes natyrale, Shqipërisë. Qindra flamuj kombëtarë të shtetit të Kosovës, por dhe flamuj amerikanë, turq dhe të BE-së kanë qenë sfondi i fillimit të autostradës në pjesën e Kosovës, njohur ndryshe si vazhdimi i “Rrugës së Kombit”, Vërmicë- Merdarë. Tashmë kjo rrugë mban emrin e “babait shpirtëror” të pavarësisë së Kosovës dhe ideatorit të parë të kësaj rruge “Dr. Ibrahim Rugova”. Shiritin e rrugës e kanë prerë jo një apo dy, por katër personalitete: Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, si dhe kongresmeni amerikan, Eliot Engëll. Ndërsa të dy anët e kufirit ishin pushtuar nga qytetarë të shumtë që shëtisnin në këmbë për të parë investimin e sapopërfunduar dhe që do i lidhë brenda një kohe të shkurtër me çdo cep të Shqipërisë dhe Kosovës. Kryeministri Berisha e cilësoi “Rrugën e Kombit” si një agim të ri politik, ekonomik dhe social për Kosovën. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në ceremoninë e përurimit të autostradës, Berisha theksoi se rruga mundëson bashkimin e shqiptarëve më shumë se kurrë. “Kosova në më pak se 3 vjet i dhuron qytetarëve të saj, kombit, rajonit dhe Europës një kryevepër të punëve publike. Kjo është një rrugë me domethënie të madhe për shqiptarët. Përmes kësaj rrugë, Kosova kontribuon për paqen, stabilitetin dhe integritetin rajonal”, u shpreh Berisha. Sipas tij, kjo është rruga me të cilën Kosova investon për të ardhmen e shkëlqyer europiane të qytetarëve të saj. “Është rruga e zhvillimit të shpejtë, e fluksit të pashtershëm të energjisë së tregut të saj drejt Perëndimit. Është rruga e sigurisë më të madhe të udhëtimit të qytetarëve të saj”. Ndërkohë, Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, deklaroi se “Rruga e Kombit” është një ëndërr që bëhet realitet. Sipas Jahjagës, Kosova dhe Shqipëria po shkurtojnë distancat. “Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe shteteve. Është lidhja jonë me korridoret e rëndësishme europiane. Politikat e koordinuara do të na bëjnë anëtarë të lirë e të barabartë të Bashkimit Europian”, theksoi Jahjaga. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se ndërtimi i autostradës është një investim strategjik për zhvillimin e Kosovës. Thaçi theksoi se “projekti për ndërtimin e autostradës ndan epokat, është projekti i shekullit të ri, i lirisë, pavarësisë dhe integrimit. Ky projekt hap kufijtë dhe i demokratizon ata”. Thaçi e cilësoi autostradën “Ibrahim Rugova” si projektin më të madh dhe më modern në historinë e vendit. Sipas tij, “Rruga e Kombit” është civilizim dhe emancipim që ndan botën e re nga e vjetra. “Ka kaluar një dekadë që kur kemi kaluar mbi tela me gjemba e kufij të ndarë dhe për këtë ditë që shohim sot është bërë luftë e gjatë, por sot ëndrra po bëhet realitet. Kjo është autostrada e jetës së re dhe e qytetarëve që hap kufijtë dhe thyhen barrierat e së shkuarës, duke hapur një horizont më shumë për qytetarët”, u shpreh Thaçi. Ndërsa kongresmeni amerikan i ka uruar në shqip shqiptarët për rrugën e re dhe për pavarësinë e Kosovës, duke sjellë dhe njëherë mbështetjen e SHBA-ve për Shqipërinë dhe Kosovën. Për Engëll, i njohur si mbështetës i çështjes shqiptare, kjo rrugë e çon Kosovën drejt Europës.
Minat
Evert King, shef i sigurisë së projektit, thotë se që nga nisja e investimit në Kosovë nuk ka pasur të lënduar në njerëz. “Motoja jonë ka qenë zero aksidente në punë. Kemi kryer trajnime me të gjithë punëtorët dhe specialistët. Kemi bërë dhe hulumtime për rrezikun e minave dhe mbetjeve të armatimeve nga lufta dhe kemi pastruar në bashkëpunim me FSKnë 80 mijë metra katrorë tokë të dyshuar si të infektuar”. Investimi i deritanishëm nuk është shoqëruar me aksidente fatale gjatë kryerjes së punimeve për autostradën gjigante.
Dogana
William Myer, menaxher i projektit, thotë se vëmendje e veçantë dhe rëndësi i është kushtuar pjesës që bashkohet me Shqipërinë, aty ku ndodhet një urë e vjetër. “Autostrada M 25, ka gjithë hyrjedaljet e duhura, që të mos prishet infrastruktura doganore. Tek ura e vjetër ka katër opsione, por ne do të bëjmë një mbikalim të madh që lidh dy brigjet dhe jo urë, për të lehtësuar sa më shumë qarkullimin mes Shqipërisë dhe Kosovës”. Brenda pak ditësh do t’i jepet forma përfundimtarë dhe pjesës së doganave.
Infrastruktura
Darren Mort, drejtori i projektit të autostradës Vërmicë-Merdarë, thotë se ky është një projekt i shpejtë dhe kryhet në kohë dhe me cilësi të lartë, dhe pa lënduar askënd. “Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë dhe me komunitetin. Kjo vepër ka ndikim dhe në infrastrukturën tjetër të zonës nga kalon, pasi kemi bërë shkolla, rrugë, ujësjellës, trajnime dhe specializime të banorëve të punësuar”, thotë Mort. Sipas tij, përfundimi i plotë i projektit do të thotë dhe investime të tjera për banorët e zonave.
© Panorama.al











