
KORÇE – Drejtoria e Monumenteve të kulturës penalizon Bashkinë e Korçës me 50 mijë lekë, për shkak se ajo ka ndërhyrë në një prej objekteve në varësi të kësaj drejtorie. Monumenti i “Luftëtarit kombëtar” është çmontuar dhe magazinuar në një prej ambienteve të Bashkisë, si pasojë e zbatimit të masterplanit për qendrën e qytetit të Korçës. Kreu i kësaj drejtorie, Artan Buzo, u shpreh se prej momentit kur është kryer ndërhyrja e parë në këtë statujë, është vënë në dijeni Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë, si dhe prefekti i Korçës. “Kemi marrë fillimisht kontakte me Bashkinë, nga e cila na është paraqitur një leje e miratuar nga KRRT-ja e qytetit në maj 2010 për një projekt në lidhje me rehabilitimin e qendrës së qytetit, ku përfshihet edhe lëvizja e këtij monumenti. Shkak për këtë lëvizje është kalimi i rrugës për automjete në pjesën ku është vendosur përmendorja e “Luftëtarit Kombëtar”. Por, nga ana e Bashkisë ne nuk na është kërkuar leje, madje as nuk jemi vënë në dijeni. Duke qenë një monument i kategorisë së parë, ai mund të çmontohet vetëm nga specialistë të licencuar. Për këtë arsye, ne kemi marrë masën me vlerë 50 mijë lekë të rinj ndaj Bashkisë së Korçës”, u shpreh Buzo. Sipas projektit të Bashkisë, monumenti do të spostohet disa metra për t’u pozicionuar në krah të “Mësonjëtores së Parë Shqipe”. Nënkryetari i bashkisë, Sotiraq Filo, e ka konsideruar këtë një parregullsi nga ana e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës. Sipas tij Bashkia e Korçës gëzon një leje si rezultat i një projekti të miratuar nga KRRT për qëndrën e qytetit. “Ne tashmë presim vetëm bashkëpunim për të avancuar në këtë projekt dhe jo pengesa që e vonojnë atë”, u shpreh ai. dh.d











