Pasi mori mbështetjen e Kancelares gjermane, Angela Merkel, për masat që po merr Italia kundër krizës, Kryeministri italian Mario Monti tha se tashmë Italia e ka bërë pjesën e saj për të luftuar krizën e borxhit dhe i takon Europës të bëjë pjesën tjetër. Monti deklaroi se reformat e dhimbshme që ka ndërmarrë vendi, e kanë kuruar sëmundjen italiane, që nuk ka më rrezik të përhapet në vendet e tjera europiane. Monti tha se në Itali mund të organizoheshin protesta kundër BE-së dhe Gjermanisë, nëse përparimet e vendit nuk do të njiheshin. Por Kancelarja gjermane i vlerësoi ato. Merkel tha se: “Thellësia e reformave të kryera ka për të forcuar pozitat e Italisë, ka për të përmirësuar perspektivën e saj ekonomike, ndërsa janë shndërruar në një shembull për shpejtësinë me të cilën janë zbatuar”. Në takim u tha se Monti e ka mbështetur taksën e re të transaksionit që ka në plan eurozona.











