
ROMË- Kryeministri i ri italian, Mario Monti, sot ballafaqohet me votimin e dytë për votëbesim në Dhomën e Ulët. Votëbesimi vjen një ditë pasi qeveria e tij teknokrate, kaloi testin e parë, duke e fituar votëbesimin në Senat.
Në Senat, kryeministri Monti paraqiti programin e tij të reformave, duke deklaruar se më atë synohet të nxitet rritja ekonomike e Italisë dhe ulja e borxhit të madh publik. Sipas Montit masat e kursimit do të jenë të balancuara nga “rritja dhe kapitali”. Por, partia e krahut të djathtë, Liga Veriore, nuk i dha mbështetje.
Njëherësh, mijëra studentë kanë marshuar në qytetet në gjithë Italinë, për të protestuar kundër uljeve të shpenzimeve. Me këtë rast është raportuar për përleshje ndërmjet policisë dhe demonstruesve në disa qytete.











