Molotovët drejt Kryeministrisë dhe parlamentit, rreth 20 protestues shoqërohen në polici

Feb 10, 2026 | 22:12

Rreth 20 protestues janë shoqëruar në polici pasi hodhën molotovë dhe lëndë piroteknike përpara protestës para Kryeministrisë dhe Kuvendit, raporton gazetarja Xhensila Kodra.

protesta 10 shkurt

Opozita zhvilloi sot protestën e radhës duke kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa menjëherë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, protestuesit hodhën molotov drejt godinës së kryeministrisë, ndërsa policia i shpërndau me përdorimin e autobotit e ujë. Më pas protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku pati përplasje me policinë.

Policia tha se nga molotovët kanë mbetur të lënduar, me djegie dhe dëmtime fizike 16 efektivë policie, të cilët kanë marrë mjekim në spital.

Lëndime gjatë protestës pësoi gjithashtu edhe deputeti demokrat Bledjon Nallbati, i cili u dërgua në spitalin e Traumës me dëmtime në kokë.

Opozita kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, pas përfshirjes së kësaj të fundit në skandale korrupsioni dhe vënies nën akuzë zyrtarisht nga SPAK për abuzime me tenderat.

Ajo është pezulluar nga detyra, por gjithashtu kërkohet heqja e imunitetit dhe hapja e rrugës së arrestit.

© Panorama.al

Te lidhura