Mjekët dhe infermierët, 10 ditë pa paga

Jan 16, 2012 | 13:15

QSUT: Shkaku, vonesat me hapjen e Degës së Thesarit.

Në llogaritë bankare nuk u është hedhur asnjë qindarkë. Duhet të merrnin pagën më datë 5 janar, por që prej 10 ditësh bluzat e bardha shkojnë e vijnë kot në bankë. Janë më shumë se 2600 punonjës, pjesë e stafit të spitalit më të madh në vend. Burime nga Drejtoria konfirmuan lajmin, duke saktësuar se shkak për këtë situatë është bërë urdhri për të hapur Degën e Thesarit të Shtetit pas datës 14 janar. “Edhe vitin e kaluar ishte e njëjta situatë, shpresojmë se ditën e hënë punonjësit do të marrin rrogat, pasi Dega e Thesarit, nga sa na është thënë, hapej më 14 janar. Fakti që ishte ditë dhe bankat e nivelit të dytë janë pushim, ka bërë që të ketë vonesa”, thanë burime të sigurta nga Drejtoria e QSUT. Personeli i mesëm dhe sanitaret e vuajnë më shumë mbi kurriz vonesën me pagat. “Kam shkuar nja dhjetë herë deri tani për të tërhequr pagën dhe nuk na e kanë hedhur. Mirë shpenzimet e Vitit të Ri që na shkundën, po kemi drita e ujë për të paguar”, tha dje për gazetën një nga sanitaret e spitalit “Nënë Tereza”. Ajo pohon se nuk ka të ardhura të tjera përveç pagës dhe ka dy fëmijë për të mbajtur. Bashkë me shpenzimet fikse, vonesa e pagave është kthyer në shqetësim të dyfishtë edhe për ata që kanë për të shlyer këstet e kredive. Këta të fundit janë penalizuar jo për fajin e tyre me shuma të ndryshme në varësi të këstit që kishin për të paguar, si dhe përcaktimeve të kontratës së lidhur me bankën. Financat nga ana e tyre shpjegojnë se nuk bëhet fjalë për mungese të parave në buxhet, por vonesat shkaktohen për shkak të fluksit të pagesave në fillim të vitit. Sipas burimeve pranë Ministrisë bëhet me dije se Dega e Thesarit është hapur dhe sot do të kalojnë pagat. Kalimi i festave të fundvitit, koha e nevojshme që nga nxjerrja e udhëzimit nga Ministria e Financave për zbatimin e buxhetit, si dhe procedurat që ndjek Thesari në raport me buxhetin e ri, e bëjnë të pranueshme një vonesë disaditore të pagave, por tashmë kanë kaluar më shumë se dy javë dhe një pjesë e punonjësve buxhetorë vazhdojnë të mos marrin pagat. Ky nuk është rasti i parë qe vonohet dhënia e rrogave për mjekët dhe infermierët e QSUT-së. Janë rreth 11888 punonjës në të gjithë vendin që i përkasin sistemit shëndetësor. Spitalor. E cilësuar si qendra më e madhe spitalore në vend, QSUT-ja edhe për këtë vit do të ketë numrin më të lartë të punonjësve, përkatësisht me 2685 persona.

Nuk do të ketë shkurtime
Numri i punonjësve në spitale nuk do të pësojë ndryshime krahasuar me atë të vitit të shkuar, çka do të thotë se nuk do të ketë shkurtime. Krahas detajimeve të bëra nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore për kontratat e reja me spitalet gjatë vitit 2012, Këshilli i Ministrave ka miratuar pak ditë më parë vendimin në të cilin detajohet numri i plotë i punonjësve që do të vijojë ofrimin e kujdesit mjekësor ndaj qytetarëve për të gjitha rrethet e vendit.

© Panorama.al

Te lidhura