
Dy minatorë grevistë janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ekipi mjekësor i dërguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Shëndetit Publik u ka kërkuar atyre të shtrohen në spital, pasi nga vizitat e kryera kanë probleme me frymëmarrjen, dhimbje koke, marrje mendsh, luhatje të tensionit etj. Mësohet se 4 mjekë të specialiteteve të ndryshme kanë vizituar 10 minatorët e ngujuar që të hënën në mëngjes dhe kanë konstatuar se katër prej tyre kanë ftohje, çrregullime të metabolizmit, dhimbje barku e të vjella. Megjithëse, sipas mjekëve, dy prej tyre janë më rëndë në ditën e gjashtë të grevës dhe duhet të dalin nga ngujimi, ata nuk e kanë pranuar këtë fakt. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ka vizituar paradite grevistët dhe ka zhvilluar një takim të gjatë me këshillin sindikal dhe komisionin e grevës. Sipas Nikollajt, gjendja e minatorëve grevistë sa vjen e përkeqësohet për shkak të kushteve aspak normale ku ata qëndrojnë. “Sot paradite, një ekip mjekësor vizitoi grevistët. Prej ditësh ne kishim kërkuar instalimin e një grupi mjekësor pranë grevës së urisë. Sipas mjekëve, dy minatorë duhet të lënë në mënyrë urgjente grevën, pasi kanë probleme serioze me shëndetin. Mirëpo, me gjithë kërkesën e mjekëve dhe tonën, ata nuk pranojnë ta lënë atë. Meqenëse gjendja e minatorëve nuk është e mirë, ne i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë të instalojë një grup mjekësh këtu dhe jo të vizitohen ata një herë në javë”, theksoi Nikollaj. Numri një i Konfederatës deklaroi se greva e urisë e minatorëve dhe protestat do të vazhdojnë çdo ditë, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave. Nikollaj tha se nuk është normale që marrëveshja të mbahet peng vetëm për largimin e drejtorit të minierës, Medat Zogu. Ne shpresojmë se kompania ACR nuk do ta zgjasë me tej nënshkrimin e marrëveshjes. Ajo nuk do të lejojë që puna në minierë të mos vazhdojë vetëm se “menaxherët” e saj në Tiranë e Bulqizë nuk e dëshirojnë një gjë të tillë”, nënvizoi Kol Nikollaj. Greva e urisë së 10 minatorëve mbush sot ditën e gjashtë që nga fillimi i saj. Ata janë ngujuar në ambientet e një lokali të marrë me qira, jashtë ACR-së, që prej së hënës së shkuar. Që nga fillimi i kësaj greve, u realizua një takim mes përfaqësisë së minatorëve dhe pronares së firmës austriake, por nuk u arrit një marrëveshje e shumëpritur. Problemi qëndron te drejtori i minierës, i cili nuk pranohet të hiqet nga kompania e huaj, ndërsa minatorët kërkojnë të largohet, duke e cilësuar si strumbullar të problemeve të tyre.
3 muaj
mbushen që nga paralizimi i plotë i minierës së Bulqizës, si pasojë e protestave dhe grevave të urisë të zhvilluara nga përfaqësues të minatorëve











