Mirela Hasanaj: Prova e alergjisë, e detyrueshme si analiza e gjakut

Sep 25, 2011 | 13:39

Simptomat e ngjashme me atë të një gripi të zakonshëm. Temperaturë, sekrecione të hundëve, gërricje të fytit apo teshtima nuk duhet t’i neglizhoni. Krejt rastësisht, përmes një prove të alergjisë mund të kuptoni se pas atij të ashtuquajturi “grip”, fshihet edhe një virus me bazë alergjike, që në rastin më të keq të moskurimit kthehet në një astmë të thellë bronkiale. Mjekia alergologe, Mirela Hasanaj, jep disa këshilla të vlefshme për pacientët e të gjithë grupmoshave

Periudha e kthimit nga pushimet e verës është pikërisht ajo më e rrezikshmja që ndihmon në aktivizimin e virozave të stinës. Nëse kontakti me ujin e kripur të detit, të notuarit dhe dielli janë faktorë pozitivë në mbarëvajtjen e shëndetit fizik, faza “post vacanze” është ajo që duhet realisht të na alarmojë. Mirela Hasanaj, mjekia alergologe, thekson se të pirit e ujit nga frigoriferi, kontakti me kondicionerët në ambientet e shtëpisë apo të punës jo vetëm që përbëjnë faktorë rreziku, por shpesh herë ata kthehen në burim sëmundjeje. “Rastet kronike janë të parat që trokasin në derën time. Me ndryshimin e klimës dhe temperaturave, ato nisin akutizohen. Alergjitë sezonale nga polenet e shkurreve, myku i jashtëm dhe ai i brendshmi, apo lagështira në ambientet e shtëpisë, janë disa nga faktorët realë që ndikojnë në sëmundjet e alergjisë”, pohon doktoresha.
Shpeshherë rreziku që kanoset është ai i të mosmarrit seriozisht të simptomave, të cilat, të ngjashme me ato të një gripi të zakonshëm, i çojnë shumë pacientë drejt një mjekimi të gabuar dhe aspak efikas. Në përditshmërinë e punës së Mirelës, rastet që konstatohen janë nga ato më të larmishmet, ndërsa mjekia konstaton se prevalenca e sëmundjeve të alergjisë është në rritje vit pas viti. Por, më shumë se nevojë për të përcaktuar gradën e alergjisë tek pacientët, prova e alergjisë, thekson doktoresha, duhet të jetë njësoj e rëndësishme me një analizë formule gjaku. “Prova e alergjisë bëhet një herë në vit dhe ajo duhet domosdoshmërisht të fillojë nga fëmijët e moshës gjashtëvjeçare tek të rriturit deri në moshën 58 vjeç, pas këtij kufiri moshor, organizmi nuk është në gjendje të reagojë si duhet ndaj sëmundjeve. Prova e alergjisë kryhet vetëm një herë në vit dhe nuk përsëritet. Ndërsa, një tjetër provë që nuk duhet shmangur është ajo e spirometrisë, e cila përcakton nivelin e astmës tek personat që janë në prag të të prekurit nga kjo sëmundje, apo tek ata kronikët që diagnostikohen”. Një risi e viteve të fundit është edhe rritja e të prekurve nga alergjia e qimeve të maces apo të qenit. Si pasojë e pranisë gjithnjë e më të shpeshtë të këtyre kafshëve në ambientet e shtëpisë, kontakti me duar apo shpërndarja përmes ajrit ndikojnë drejtpërdrejt në prekjen nga ky tip alergjie tek të gjitha grupmoshat e individëve. Andaj, kultura e të bërit të një kontrolli tek mjeku alergolog duhet të kthehet në një domosdoshmëri dhe praktikë të kohës, për të shmangur nivelet më akute të sëmundjeve të alergjisë, një prej të cilave është edhe astma e thellë. Mjekia Mirela Hasanaj vë theksin në këtë pikë, njëkohësisht shpalos disa këshilla të vlefshme se si të kuptojmë se vuajmë nga alergjia, si të kujdesemi dhe diagnostikojmë këtë sëmundje.

Keshilla

Kultura e vizitave
U këshilloj prindërve që të vizitojnë që në moshë të herët fëmijët e tyre te mjeku alergolog. Njësoj siç kryhen vizitat tek pediatri, duhet të kthehet në kulturë bërja e një kontrolli te mjeku alergolog për fëmijët nga mosha gjashtë vjeç, por edhe më herët tri vjeç. Prania e mishit të huaj apo sinoziti nuk duhet të kurohen vetëm te pediatri. Këto simptoma duhet të shtyjnë një prind edhe drejt mjekut alergolog për të kryer një provë alergjie tek fëmija, sepse përmes rrugëve të frymëmarrjes mund të ekzistojë rreziku i formësimit të një alergjie të mundshme. Tek moshat e rritura, kufiri shkon deri tek 58-ta.

Prova e alergjisë
Një grip që përsëritet më shumë se tri-katër herë, nuk është më grip, por rinit alergjik. Dhe, nëse kjo përcaktohet shpejt, mund të kurohet lehtësisht. Prova e alergjisë bëhet një herë në jetë dhe nuk përsëritet më, ndaj nuk duhet shmangur nga asnjë individ apo grupmoshë.

Ajrosja
Duhet të bëhet ajrosja e shtëpisë që herët në mëngjes. Hapja e dritareve dhe futja e rrezeve të diellit në shtëpi ndihmon në ajrosjen e ambientit. Nxjerrja në diell e çarçafëve duhet të kthehet në kulturë të përditshme, sepse dielli është ai që vret karienet, pluhurin.

Dezinfektimi
Në farmaci ekzistojnë preparate që bëjnë dezinfektimin e shtëpisë një herë në muaj. Ka këllëfë dyshekësh apo jastëkë të posaçëm për personat alergjikë.

Plazhi si kurë
Plazhi është një faktor kurues për shumë pacientë. Rrezet e diellit, jodi dhe noti përmirësojnë gjendjen fizike, ndaj edhe në sezonet kur është i pamundur praktikimi i plazhit, është mirë që të frekuentohen zonat e plazhit për të thithur të paktën ajrin e pastër dhe jodin. Kjo përmirëson gjendjen e rrugëve të frymëmarrjes dhe stadet e sëmundjeve të alergjisë. Për rastet më të rënda siç është astma e thellë bronkiale, ka medikamente mjekësore për kurim, por edhe shtrime në spitale.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura