Mbledhja e sotme e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend është shoqëruar me debate dhe akuza të forta, që lidheshin me shportën e ushqimeve, TVSH-në e lartë dhe çmimet e rritura, ku favorizohen oligarkët dhe njerëzit e pushtetit dhe dëmtoheshin pensionistët dhe qytetarët.
Deputeti i Partisë së Lirisë akuzoi mazhorancën se nuk mendon për qytetarët e thjeshtë dhe pensionistët që nuk paguajnë dot ushqimet e shportës, madje nuk përballojnë dot as 50% të tyre, duke sugjeruar të miratohej projektligji për uljen e YTVSH-së së ushqimeve.
Blushi ka pasur debate edhe me deputetin socialist Erion Braçe, duke i kujtuar se PS nuk e ka mbajtur premtimin e saj të vitit 2013 për pensionistët dhe shqiptarët, lidhur me TVSH për produktet e shportës ushqimore.
Në fjalën e tij, Blushi i kërkoi mazhorancës dhe në veçanti deputetëve të Partisë Socialiste që të kërkojnë ndjesë publike qytetarëve dhe pensionistëve, për atë që e cilësoi si një mashtrim elektoral të bërë në vitin 2013.
“Ulja e TVSH-së ka qenë një premtim i drejtpërdrejtë i PS-së, i ripërsëritur edhe nga nënkryetari i komisionit, por që nuk është realizuar as pas 13 vitesh në pushtet. Ne propozojmë uljen e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet bazë nuk është vetëm një masë ekonomike, por një akt social dhe moral në funksion të lehtësimit të kostos së jetesës për shumicën e shqiptarëve, veçanërisht për pensionistët dhe familjet në nevojë”, tha ai.
Më tej Blushi argumentoi se:
“Për një pensionist apo një familje në vështirësi ekonomike, nuk ka asgjë më jetike sesa të blejë bukën, qumështin, vezët, miellin apo vajin më lirë, sidomos në kushtet kur edhe këtë vit parashikohet rritje e inflacionit rreth 3%”.
Deputeti i PL theksoi paradoksin mes shtresave të shoqërisë që kishte shkaktuar qeveria, duke favorizuar oligarkët, duke krahasuar politikat fiskale me diferenca të thella.
Ai tha se mazhoranca “ka ulur barrën tatimore për oligarkët dhe bizneset e mëdha, ndërsa ka favorizuar resortet luksoze dhe blerësit e jahteve me përjashtime apo zero TVSH, por ka refuzuar të ndërhyjë për ushqimet bazë të qytetarëve”.
Gjithashtu denoncoi edhe favorizime të tjera.
“Për oligarkët klientelistë i keni ulur në 6% dhe ndërtuesit e resorteve i keni përjashtuar nga taksat. Jepen toka publike me çmime simbolike për ndërtimin e resorteve dhe kullave, ndërkohë, qytetarët më të varfër të vendit vazhdojnë të paguajnë ushqimet e shportës deri në 50% më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian. Ndaj të miratohet ky projektligj për uljen e TVSH-së”, tha Blushi.
Dhe teksa prezantonte projektligjin e Pl për uljen e TVSH te Ekonomia, Blushi theksoi se:
“Ndaj është edhe në interesin tuaj dhe të Kuvendit që ta bëni këtë në interes të qytetarëve shqiptarë”.
Deputeti pati debate me Braçen në lidhje me premtimin që PS kishte bërë më 2013 për shportën ushqimore dhe TVSH, duke vendosur edhe një video të vjetër të premtimeve elektorale të mazhorancës, duke i thënë:
“Jeni edhe ju këtu në këtë video zoti Braçe. Ndaj kini kurajon të kërkoni ndjesë dhe të mbani premtimin e vitit 2013”, tha Blushi.
Dhe ndërsa Braçe e kontestonte, Blushi i ka kërkuar që të ruante qetësinë dhe të mbahej premtimi, duke ulur TVSH-në për shportën e ushqimeve.
“Më 2013 ke shkruajtur “asnjë hap pas, do zërohet TVSH-ja”. Në vend të kërkoni ndjesë që premtuat, tani kundërshtoni, janë videot tuaja, janë premtimet tuaja, janë videot tuaja. A keni ndjesë për të. A premtuat. Ishte kalë beteje kjo, me këtë premtim erdhët në pushtet. Nga peshku kaloi te ngjalat zoti Braçe”, vijoi deputeti.
Braçe i kujtoi Blushit se edhe ata (ish-LSI) ishin pjesë e qeverisë dhe mazhorancës, kurse Blushi iu përgjigj se “personalisht nuk kishte qenë në qeveri”.
Këto replika kanë çuar mbledhjen në debate dhe përplasje të mëtejshme, ku ka ndërhyrë edhe deputetja e PL, Erisa Xhixho, që kërkoi të sqarohej nisma dhe lista dhe të reduktohej TVSH-ja. Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, ka tërhequr vëmendjen e deputetëve të PL që po prezantonin projektligjin, duke u kujtuar se “mbledhjen e drejtonte ajo.
Këto replika të pandërprera çuan edhe në mbylljen e mbledhjes me qëllim që të kalonin tensionet, duke vendosur disa minuta pushim.













