
Në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” u zhvillua të enjten ndeshja miqësore midis përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Kosovës për të rinj në moshat nën 17 vjec (U-17). Pas ekzekutimit të Hymnit Kombëtar takimi ka nisur i shpejtë dhe më i mirë për të rinjtë kosovarë. Ata pas disa aksioneve të rrjedhshme kanë arritur të shënojnë të parët, duke shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar për prekje me dorë të topit në zonë dhe duke i mbyllur kështu 40 minutat e para në avantazh 1-0.
Në pjesën e dytë djemtë e drejtuar nga Mustedanagic kanë përmirësuar ndjeshëm lojën dhe në minutat e fundit të takimit kanë arritur ta barazojnë rezultatin në 1-1, rezultat që nuk ndryshoi deri në fundin e takimit. Duhet thënë se në pjesën e dytë, nëpërmjet ndërrimeve, trajnerët iu dhanë mundësi aktivizimi pothuaj tërë lojtarëve që kishin në dispozicion. Për përfaqësuesen e Shqipërisë kjo ndeshje u vlejti përgatitjeve që ky ekip po bën për ndeshjet e muajit mars 2012 në kuadër të Kampionatit Europian U-17, ku sic dihet ky ekip arriti të kualifikohet së bashku me Gjermaninë për në turin “Elite”, pas lojërave shumë të mira të zhvilluara në ndeshjet në grup. Ekipi i Shqipërisë ishte pa disa lojtarë të formacionit bazë, të aktivizuar në ndeshjet e grupit në Estoni, po nga ana tjetër kishte përfshirë në formacion disa lojtarë të rinj të talentuar, të cilët po testohen për përforcimin e ekipit. Në lojën e ekipit të Kosovës u shquan disa lojtarë të talentuar, të cilët do të ndiqen me vëmendje nga trajnerët dhe Sektori i Ekipeve Kombëtare në FSHF, si potenciale për t’u përfshfirë në ekipet kombëtare të Shqipërisë.
Pas këtij eventi vëllazëror, përfaqësues të dy federatave kanë qëndruar së bashku dhe kanë folur për bashkëpunim sa më të ngushtë në të mirë të zhvillimit të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë.











