
Mbush 8 ditë protesta masive e 700 minatorëve të Bulqizës. Sot, drejtuesit e saj kanë parashikuar ditën e fundit paralajmëruese, për të hyrë të mërkurën në grevë urie pa afat.Edhe pse dje ishte e diel, që në orën 07:00, drejtuesit e protestës dhe minatorët janë grumbulluar në mjediset e firmës koncesionare “Albanian Krom”. Dilaver Përkoxha, kryetar i këshillit sindikal dhe Luan Nika, kryetar i protestës, janë shprehur se ende nuk ka një reagim zyrtar për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve. Ata janë shprehur se kanë rënë dakord me presidentin e Konfederatës, Kol Nikollaj dhe presidentin e Sindikatës së Industrisë, Taf Koleci, që sot, në sheshin “Minatori” të zhvillohet një protestë e madhe. Sipas Kolecit, qindra qytetarët do të mbështesin protestën e ligjshme të minatorëve, pasi më shumë se 700 familje i kanë të lidhur fatet e tyre më minierën. Po ashtu, biznesi është i lidhur ngushtësisht me ecurinë e minierës së kromit.
Zoti Koleci, mendoni se hapat e hedhur deri tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme për protestuesit?
E kemi theksuar disa herë. Këshilli sindikal i Bulqizës dhe minatorët e këtij rrethi kanë treguar në shumë raste se dinë të organizohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Vërtet nuk kemi ende një zgjidhje përfundimtare, por jemi të sigurt dhe të vendosur të vazhdojmë protestën tonë të ligjshme. Ne nuk kemi kërkuar luks. Minatorët kërkojnë rrogë më të mira sepse punojnë në kushte mjaft të rënda. Firma e huaj dhe Ministria e Ekonomisë e pranojnë faktin se shumë nga pagat e minatorëve janë të ulëta dhe se ato duhet të ngrihen me urgjencë. Nuk është dhënë zgjidhje për kryerjen e punimeve të thellësisë, por pas kësaj proteste kjo firmë apo dikush tjetër do të nisë patjetër kryerjen e investimeve, pasi miniera po plaket dhe një ditë ajo mund të mbyllet. E dimë se është e vështirë, por jo e pamundur, largimi i subjekteve pa licencë në territorin e kësaj miniere.
Ju mendoni se ka abuzime në minierën që menaxhohet nga ACR?
Minatorët e kanë ngritur zërin fort. Ata thonë se ka subjekte që nxjerrin kromin nga territori i ACR-së dhe për çudi ia shesin përsëri asaj. Kjo është skandaloze kur e mendon, jo më kur ajo ndodh realisht. Me djersën dhe mundin e minatorëve është luajtur ndër vite, por ne jemi të vendosur më shumë se kurrë që të tilla abuzime të mos përsëriten. Unë bashkohem me shqetësimin e minatorëve se prokuroria duhet të zgjohet dhe të nisë hetimet nëse ka vërtetë abuzime me borderotë. Qarkullojnë akuza se përgatiten dy palë bordero, një funksionon për pagat që marrin minatorët dhe një tjetër ku administrata zhvat sa mundet minatorët. Precedentë të tillë janë faktuar vite më parë në këtë minierë dhe gjasat janë të ketë ndodhur përsëri. Këshilli sindikal ka faktuar po ashtu se më pak se 50 për qind e punëtorëve punojnë direkt në prodhim dhe në fronte të vështira pune, ndërkaq të tjerë paguhen në kurriz të tyre.
Si do të vijojë protesta e minatorëve?
Sot, në qendër të qytetit të Bulqizës do të zhvillohet një protestë e madhe. Minatorët do të mbështeten fuqishëm nga familjarët e tyre. Në këtë protestë ne do t’u drejtojmë thirrjen e fundit zyrtarëve të firmës koncesionare dhe qeverisë. Të martën do të merremi me përgatitjen e listave të minatorëve që do të hyjnë në grevë urie. Ajo do të zhvillohet në mjediset e ACR-së dhe do të nisë ditën e mërkurë. Greva e urisë do të zgjasë pa afat, deri në zgjidhjen e kërkesave të minatorëve.
Kush ju mbështet në këtë nismë sublime?
Të parët janë minatorët. Ata nuk pranojnë të shfrytëzohen nga një firmë që nuk zbaton kushtet e kontratës. Së dyti janë mijëra banorë të Bulqizës që janë solidarizuar me lëvizjen tonë sindikaliste. Së treti, janë metalurgët e Elbasanit e Burrelit si dhe minatorët e tjetër të vendit që janë mbështetës të minatorëve të Bulqizës. Ne si konfederatë do të ndjekim të gjitha procedurat që kjo protestë të ndiqet nga shoqata jo qeveritare dhe pse jo nga sindikalistët tanë homologë matanë kufirit.
8 dite
ka mbushur sot protesta masive e minatorëve, qëllimi i së cilës është realizimi i kërkesave për punën në galeritë e minierave të kromit
Kërkesat e minatorëve
1. Të rriten pagat e minatorëve me 20%
2. Të mos paguajnë taksën e dyfishtë pasi ndikon direkt në pagën e minatorëve
3. Të investohet në galeri pasi miniera po degradon dita-ditës dhe të përmirësohen kushtet e punës
4. Të largohen subjektet e palicensuara nga territori i minierës ACR
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











