Minatorët, protestë me fëmijët mes Bulqizës

Sep 13, 2011 | 11:13
Minatorët në protestë

BULQIZE – As në grevë urie dhe as në punë. Kështu kanë vepruar ditën e djeshme minatorët e Bulqizës. Ata nuk kanë marrë në konsideratë njoftimin e ACR-së që minatorët duhet të riktheheshin dje në vendet e tyre të punës, por nuk kanë zbatuar as paralajmërimin e tyre për të rinisur një tjetër grevë urie. Forca të shumta policie kishin rrethuar hyrjen e pusit nr.1, për të penguar hyrjen e minatorëve në këtë galeri, duke menduar se minatorët që do të hynin brenda, mund të fillonin një tjetër grevë urie, po në thellësitë e minierës së kromit. Minatorët e shumtë në numër, të mbështetur këtë herë edhe nga familjarët e tyre, sidomos një pjesë e fëmijëve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit, kanë protestuar në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme para zyrave të ACR-së, ndërkohë në mesditë afro 2 mijë vetë, minatorë, fëmijë të tyre dhe banorë të Bulqizës kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre ekonomike. Në krye të minatorëve edhe dje ishin vënë drejtuesit e konfederatës: Kol Nikollaj, Taf Koleci e Dilaver Përkoxha. “Sapo minatorët u grumbulluan para portës së ACR-së dhe asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të hyjë në galeri, e gjithë administrata është larguar nga zyrat dhe ka zbritur në qytet”, thanë minatorët që u grumbulluan në orën 07:00 para zyrave të ACR-së. Ndërkaq, të paktën 30 efektiva të Forcave Speciale ishin vendosur në hyrje të pusit nr.1. Sipas Presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, këto forca ishin vendosur për të mos lejuar hyrjen në galeri të minatorëve, që tentojnë të nisin grevën e urisë nëntokë. Zhvillimi i tubimit në qytet sipas Nikollajt dha mesazhin se minatorët dhe qytetarët e Bulqizës nuk janë lodhur dhe se dje dukej sikur ishte dita e parë e protestave në këtë qytet. Nikollaj pohoi për “Panorama” se “prania e madhe e fëmijëve në këtë tubim paqësor nuk ka asnjë lidhje me përdorimin e fëmijëve nga subjektet politike.             h.p

Largimi i Zogut

Burime të rezervuara informacioni nga miniera e Bulqizës bënë me dije se një natë më parë në zyrën e administratorit të minierës, Medat Zogu, ka mbërritur një shkresë nga kompania ACR, në të cilën ai njoftohet se, në qoftë se minatorët nuk nisin punën deri në orën 10:00 të ditës së hënë, ai duhet të japë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të minierës. Ndryshe nga ditët e tjera, ACR dje nuk ka komunikuar asgjë me minatorët.

© Panorama.al

Te lidhura