
Minatorët do të padisin në gjykatë firmën “ACR” nëse thyen ligjin për grevat.Javë më parë, kompania e huaj paditi minatorët se kishin pushtuar në mënyrë ta paligjshme minierën, ndërsa tani janë minatorët që kërkojnë ndëshkimin ligjor të firmës nëse ajo do të tentojë të nisë punën në galeri pa nënshkruar më parë marrëveshje me minatorët. Kol Nikollaj, president i KSSH-së, tha se stafi i tij po përgatit një padi që do të dorëzohet sa më shpejt në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Thelbi i saj është paditja e firmës “ACR” për shkelje të ligjit për grevën dhe ushtrimit të presionit për largimin e pamotivuar nga puna. “Ne, theksoi Nikollaj, si Sindikata, dhe ACR-ja, jemi të regjistruar në gjykatë, pra funksionojmë në mënyrë të ligjshme”. Kjo lëvizje e re e minatorëve vjen një ditë pas njoftimit të ACR-së se minatorët duhet të kthehen ditën e hënë në punë, përndryshe ata nuk do të jenë më tej pjesë e ACR-së, pra do të pushohen nga puna. Për drejtuesit e Konfederatës kjo deklaratë përbën vepër penale dhe kërcënon minatorët. Nikollaj sqaroi se kështu si vepron firma austriake, shkelet neni 197/8 i ligjit “Për grevën”, pika 4, ku thuhet se: “Pushimi nga puna për shkak të një greve të ligjshme është i pavlefshëm”. Njoftimi i ACR-së një ditë më parë bënte të ditur se ndërpriste çdo negociatë me sindikatat. Dje, minatorët kanë vijuar protestën e tyre para zyrave të ACR-së, ndërkohë kanë kundërshtuar njoftimin e ACR-së për të rifilluar punën në minierë. Në mesditë, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, në një dalje publike ka kundërshtuar fort ACR-në, duke njoftuar 700 minatorët se ditën e hënë do të përshkallëzojnë veprimet e tyre sindikaliste. “Ditën e hënë ne do të grumbullohemi para zyrave të ACR-së, Bulqizë. Minatorët kanë deklaruar se bashkë me ta do të jenë në këtë protestë edhe fëmijët e tyre, të cilët nuk do të shkojnë në shkollë ditën e parë të mësimit, pasi ata pretendojnë se nuk kanë libra”, tha Koleci për “Panoramën”. Ai nënvizoi se 700 minatorë dhe mijëra banorë të Bulqizës mbahen peng i një administratori të minierës. “Sipas nesh, shtoi Koleci, është absurde dhe e pafalshme që qindra minatorë janë peng i drejtorit të minierës. ACR e ka menduar keq këtë gjë. Ajo nuk duhet të mbajë peng punën në minierë vetëm për një individ”, tha kreu i Sindikatave të Industrisë.
ACR këmbëngul
Me anë të një njoftimi për shtyp, kompania austriake ka bërë të njohur qëndrimin e fundit të saj. “ACR edhe njëherë u bën thirrje minatorëve t’i rikthehen punës ditën e hënë, 12 shtator, ora 07:00. Punonjësit që nuk do të paraqiten në vendet e tyre të punës do të konsiderohen se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e kompanisë “ACR”.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











