Minatorët e Bulqizës: Grevë urie në galeritë e nëntokës

Sep 21, 2011 | 10:11
Minatorët, dje në grevën e urisë

Nuk heqin dorë minatorët e Bulqizës nga tentativa e tyre për të hyrë në galeri dhe për ta zhvilluar atje grevën e urisë.Burime të sigurta informacioni thanë për gazetën “Panorama” se prania e forcave të shumta të policisë ka të bëjë me deklaratën e minatorëve se “do të shfrytëzohen të gjitha hapësirat e mundshme për zhvillimin e grevës së urisë në galeri”. Kjo deklaratë e minatorëve, e cila tani njihet nga ACR dhe policia, ka detyruar mbi 50 forca të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivë të policisë së rendit nga Drejtoria e Policisë së qarkut Dibër të shtojnë masat në të gjithë territorin e ACR-së, sidomos në hyrjet e galerive dhe puseve të minierës. Minatorët e ngujuar mëngjesin e së hënës kaluan natën e parë larg familjeve të tyre, por objekti ku janë ngujuar ishte plot me minatorë të tjerë që mbështesin lëvizjen sindikaliste. Vazhdimin e grevës së urisë e deklaruan dje drejtuesit e këshillit sindikal të minatorëve, të cilët thanë se ata janë të vendosur të rezistojnë deri në plotësimin e kërkesave. “Jemi të habitur që nuk ka një reagim nga kompania e huaj apo strukturat e shtetit shqiptar. Ne nuk po trajtohemi si njerëz. Nuk e kuptojmë kush tallet me hallet e një rrethi të tërë”, tha Sali Alliu, grevisti që ka marrë përsipër të komunikojë me mediat. “Greva vazhdon brenda në lokalin e marrë me qira, ndërsa jashtë saj, minatorë të tjerë protestojnë. Vihet re një prani e madhe e forcave të policisë te porta e ACR-së, por dhe te godina e grevistëve”, vijoi ai. Drejtues të Konfederatës thanë se sot pronarë ose përfaqësues të ACR-së do të mbërrijnë në Shqipëri dhe ka shumë gjasa që kërkesat e minatorëve të hyjnë në rrugën e zgjidhjes. “Ne nuk kemi sinjale konkrete për zgjidhjen e ngërçit, por burime të besueshme sqarojnë se firma austriake tani e ka kuptuar kush e mban peng atë në Bulqizë. Ndërprerja e punës për dy muaj e gjysmë për një administrator është absurde. Drejtori lokal duhet të largohet dhe t’i hapet rrugë rikthimit të 700 minatorëve në punë”, theksuan anëtarë të komisionit të grevës. Ata deklaruan se nuk mund të ketë vijim të punës normalisht pa nënshkrimin e kontratës mes minatorëve dhe kompanisë “ACR”. “Nëse nuk arrihet marrëveshja mes palëve, ne i kemi të gjitha mundësitë për të bllokuar ashensorët dhe punën në galeri. Pra, vetëm nënshkrimi i një marrëveshjeje sjell zgjidhjen e problemeve të akumuluara”, nënvizuan sindikalistët e Bulqizës. Deri mbrëmë minatorët nuk kanë paraqitur probleme për shëndetin e tyre, ndërkohë që drejtoria e spitalit ka vendosur që një mjek dhe një ambulancë të qëndrojë pranë lokalit ku janë ngujuar 10 minatorët e Bulqizës.

Koleci, nesër në Gjykatën e Dibrës
Taf Koleci, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, do të jetë nesër në Gjykatën e Dibrës, pasi Ministria e Ekonomisë dhe Avokatura e Shtetit e kanë paditur atë për “shpërdorim të pronës publike”. Koleci tha se ai do të jetë në sallën e gjyqit bashkë me një grup minatorësh për të hedhur poshtë këtë akuzë të pavërtetë dhe të pabazuar në prova e fakte. “Ndoshta tentohet ndonjë gjobë ndaj personit tim, por unë do të faktoj në sallën e gjyqit, bashkë me avokatët e mi, se Sindikata nuk e ka shkelur ligjin. Javë më parë, po gjykata e këtij rrethi e konsideroi grevën e minatorëve të ligjshme. Por më pas akuzohem unë si drejtues i një greve të paligjshme. Qëllimi nuk është thjesht vënia e një gjobe ndaj meje, por tentohet të thyhet lëvizja sindikaliste, pra të ndalen protestat dhe grevat, gjë që nuk ka për të ndodhur. Minatorët e Bulqizës dhe unë nuk kemi frikë presionet, kërcënimet, akuzat në organet e Drejtësisë”, tha Koleci.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura