Pas më shumë se tre muaj pushimesh, rikthehet më në fund kampionati i Serisë A. Pritja e gjatë për fillimin e sezonit të ri ka përfunduar dhe sipari do të ngrihet sot në mbrëmje me ndeshjen mes Milanit, kampione të Italisë dhe Lacios, që i ka habitur të gjithë në këtë fillim sezoni. Pasi është skarcuar në fakt hipoteza e zgjatjes së grevës së futbollistëve, që ka provokuar shtyrjen e javës së parë të kampionatit, i gjithë futbolli italian, lojtarët, shoqëritë, gazetarët dhe, mbi të gjitha, tifozët, janë gati të rizhyten në ritmet e ndeshjeve, kupave, debateve televizive dhe kompeticionit në fushë. Merkatoja e futbollit që ka karakterizuar muajt e verës u ka dhuruar skuadrave me shumë blerje të goditura sesa zyrtarizime të bujshme për të cilat janë shpenzuar miliona. Mes skuadrave favorite vazhdojnë të mbeten dy ekipet milaneze, Milani dhe Interi, të ndjekura nga një Napoli që të gjithë presin të shohin a do të jetë sërish i fortë si sezonin e kaluar, si dhe nga Juventusi i ri i Kontes dhe Roma e Luis Enrikes. Ndërkohë, Juventusi ka dy vite që e mbyll kampionatin në vendin e shtatë, por sivjet pritet të rikthehet ekipi i madh, jo ai i titullit kampion, por të paktën ai i kualifikimit për në Ligën e Kampioneve.











