Rebelët në Libi rrethuan dje fortesën e fundit të Muamar Gedafit, pas dështimit të negociatave me krerët e fiseve për dorëzimin e paqmë të qytetit, Bani Ualid. Mijëra luftëtarë të Këshillit të Përkohshëm libian qëndrojnë të ulur në rrethinat e Bani Ualid, rreth 170 kilometra në jug-lindje të Tripolit, ndërsa përfaqësues të forcave pro dhe kundër Gedafit pritet të vendosin se çfarë do të ndodhë. Prej disa ditësh, mediat kryesore ndërkombëtare kanë raportuar se Gedafi dhe këshilltarët e tij kryesorë mund të gjenden në këtë qytet apo rreth tij. Një negociator për Këshillin Nacional të Tranzicionit, Abdullah Kanshil, tha se bisedimet dështuan kur krerët e fiseve pro-Gedafit refuzuan një ofertë për të futur në Bani Ualid pajisje mjekësore, me kushtin që të lejoheshin autoritetet e rebelëve të hynin në qytet. Ata kishin kërkuar që autoritetet rebelë të hynin në qytet të paarmatosur. Shumë shpejt qyteti mund të sulmohet.











