Çlirimi, Meta: Jo emocione politike mbi historinë

Nov 29, 2011 | 11:54

TIRANË- Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka uruar gjithë shqiptarët për ditën e rëndësishme të Çlirimit të vendit, duke shprehur nderim per luftën e shqiptarëve për liri dhe familjet e dëshmorëve të rënë.

Pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, Meta ka theksuar se ishte pikërisht 29 nëntori që e bëri të paprekshme pavarësinë.

Sipas tij, dita e çlirimit është 29 nëntor 1944. “Mirënjohje për dëshmorët dhe heronjtë e luftës. Urojmë familjet e dëshmorëve dhe partizanëve. Kjo është festë e gjithë popullit”- tha meta, duke shtuar se përtej gjithë polemikave për këtë ditë, kujtimi i të rënëve do jetë i pavdekshëm. “Datën e atyre që luftuan nuk e vendos politika, ndaj mbi historinë nuk duhet të ngarkohen emocione politike”- tha ai.

Meta ka ftuar të gjithë të jenë realiste, duke pohuar se historia nuk i toleron emocionet dhe as  nuk mund të bëhet një herë në 4 vjet.

“Ne nuk kemi komplekse të vlerësojmë. Ne vlerësojmë komunistët shqiptarë pasi janë ata të cilët kanë mbajtur peshën kryesore në luftën për çlirimin e atdheut. Ne duhet të jemi realist dhe historia nuk bëhet përditë apo çdo katër vjet” ka theksuar më tej Meta.

© Panorama.al

Te lidhura