Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se në të gjithë vendin LSI ka arritur një rezultat impresionues, ndërkohë që theksoi se në të gjithë vendin LSI ka marrë rreth 120 mijë vota, rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë. “Do të dëshiroja në radhë të parë të falënderoja qytetarët për manifestimin e shkëlqyer dhe për vullnetin e tyre të lirë duke u sjellë në mënyrë europiane. Dëshiroj në mënyrë të veçantë të falënderoj ata që votuan LSI. Me rezultatet paraprake numri i votuesve po shkon drejt 120 mijëve. Ky është rezultat impresionues, rreth 40 mijë vota më shumë se zgjedhjet e mëparshme. Falënderim për qytetarët e Tiranës, ku numri i zemrave që rrahin për LSI është rreth 21 mijë të numëruara deri mbrëmë”, deklaroi kreu i LSI-së. Meta deklaroi se ky ishte rezultat më i mirë se në zgjedhjet e shkuara, ndërkohë që theksoi faktin se ky është tregues që kjo forcë politike është përcaktuese në zgjedhje dhe jo fakti se me kë ajo është në koalicion. “Rezultati i LSI-së në Tiranë është impresionues dhe rezultati më i miri i arritur ndonjëherë, pasi është 2000 vota më shumë se kur ishim në koalicion me PS-në. Kjo tregon se përcaktuese nuk është se me kë është LSI në koalicion, por votat e saj”, përfundoi fjalën e tij kreu i LSI, Ilir Meta. Gjatë fjalës së tij, Meta, duke shprehur mirënjohjen e tij për numëruesit, komisionerët dhe vëzhguesit që asistuan në procesin e 8 majit, një falënderim të veçantë u dërgoi edhe fituesve të koalicionit të Aleancës për të Ardhmen.
Kryekomunarja e Gjergjanit, e vetmja femër fituese në Elbasan
Lumturi Hoxha, e zgjedhur nga LSI
ELBASAN – Lumturi Hoxha, mësuese me një përvojë të gjatë pune, tashmë do të drejtojë një ndër komunat e qarkut të Elbasanit. Nënë e dy fëmijëve, është e vetmja grua që u shpall fituese në një prej njësive vendore të qarkut të Elbasanit. Fitore e arritur nga një grua e fortë dhe jo fitore e një gruaje “kukull”. Ka fituar nën siglën e LSI-së dhe këtë sukses të saj në politikë ua dedikon banorëve të komunës së Gjergjanit, rreth 7 kilometra larg Elbasanit, zonës ku ka jetuar dhe punuar për 23 vjet. “Në fillim hyra në politikë për të mbështetur vëllain tim, Adil Kadila, i cili kandidonte në vitin 2007 si kryetar komune, e më pas u zgjodha kryetare e LSI-së në këtë komunë”, thotë Lumturia. Që në shtator të vitit 2010, vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, i kishte premtuar Lumturies se ajo do të ishte kandidatja për kryetare komune në këtë zonë e që më pas do të zgjidhej edhe me miratimin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”. “E prita me kënaqësi këtë propozim të bërë nga Meta dhe gjeta mbështetje si nga dy djemtë dhe bashkëshorti im, ashtu edhe nga të afërm dhe banorë të komunës”, rrëfen Lumturia. Kishte kundërshtar politik Faik Gjolenën, i cili kishte katër mandate si kryetar i komunës dhe jo gjithçka ishte e lehtë. Ashtu siç rrëfen vetë Lumturia, “të qenit grua ishte një thyerje tabush në zonë, por që nuk e mendoja se gratë do të ishin ato që do të më mbështesnin më shumë”. Ndërsa flet rreth ecurisë së fushatës, Lumturia deklaron se “isha optimiste, pasi kundërshtari im në politikë nuk i mbajti premtimet që u kishte dhënë banorëve të zonës. Me fitoren time do të mbaj të gjitha premtimet që kam dhënë”. Në komunën Gjergjan, me shtatë fshatra, votuan 2930 zgjedhës, ku Lumturia fitoi këtë post me 265 vota në avantazh me kandidatin Faik Gjolena, të zgjedhur nga Aleanca për të Ardhmen. “Do të nis menjëherë punën, ku prioritet do t’u jap investimeve në infrastrukturë, ujit të pijshëm, ndërsa do të respektoj ligjin, ku në administratën e komunës, 30 për qind do të jenë gra”, thotë Lumturia. E bindur se të gjitha premtimet e saj do t’i bëjë realitet gjatë 4-vjeçarit të mandatit të saj në drejtimin e komunës, Lumturia shton se “do të ngrejë një qendër shërbimi për të ndihmuar fëmijët me aftësi të kufizuar, moshën e tretë, si edhe do të ndërtoj kopshte për fëmijët, ku do të punësohen gratë dhe vajzat që kanë arsimin përkatës në këtë fushë”. Një mbështetje të madhe Lumturi Hoxha ka marrë edhe nga ish-nxënësit e saj, sot studentë, të cilët e mbështetën në këtë fushatë me qëllimin e vetëm që ish-mësuesja e tyre të drejtonte këtë komunë. m.s
Tavo: Bime do ta lërë mandatin, do të përballet me drejtësinë
GJIROKASTER – “Gjirokastra do të ketë përsëri zgjedhje lokale. Kryebashkiaku i sapozgjedhur, Flamur Bime, do ta lërë mandatin e tij pasi do t’i duhet të përballet me drejtësinë për shpifje ndaj meje”. Kështu deklaroi para mediave deputeti i LSI-së për qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo. Sipas tij, seanca gjyqësore e parashikuar është më datë 24 maj dhe aty pritet të shikohen hapat e mëtejshëm ndaj Bimes. Krahas kësaj deklarate, Tavo ka gjetur rastin të falenderojë të gjithë qytetarët, intelektualët dhe të rinjtë për mbështetjen që treguan ndaj kandidatit të Aleancës për Qytetarin për Bashkinë e Gjirokastrës, Genci Sinojmeri, në zgjedhjet e 8 majit. “LSI është një forcë serioze, e konsoliduar dhe e gatshme për t’u përballur me çdo sfidë elektorale, qoftë lokale dhe ato të përgjithshme, të cilat me siguri maksimale, priten të mbahen në qershorin e vitit 2013”, u shpreh Tavo. p.n
PKSH, vota më shumë e vetme
Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga Hysni Milloshi, ka marrë më shumë vota se rivalët e vetë të Partisë së Punës të Riorganizuar, ndonëse ishin jashtë koalicioneve. Partia Komuniste garoi e vetme dhe në rang kombëtar ka grumbulluar mbi 6 mijë vota. Në Tiranë patën si kandidat kryetarin e tyre, Hysni Milloshi. Gjithsesi, në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2007, komunistët kanë një ulje të mbështetjes së tyre në elektorat.











