Mësuesit, dy fazat për të marrë shtesën në pagë

Mar 21, 2011 | 9:24

Kanë nisur të përgatiten që në shkurt për testimin e shtesës në pagë.Nëse e kalojnë me sukses, do të mund të përfitojnë rritjen deri në 20% sipas kategorisë. Por, në fund të muajit të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar, duhet të kenë përfunduar dosjen përkatëse që ndryshe quhet “Portofoli i mësuesit”. Kjo është etapa e parë e vlerësimit të tyre për të arritur më pas tek provimi me shkrim. Burime nga MASH-i bëjnë me dije se drejtoritë arsimore do t’u lënë afat arsimtarëve një periudhë dy javore për kryerjen e kësaj procedure. Portofoli duhet të përmbaje CV me fotografi, planin mësimor vjetor (për një lëndë dhe një klasë të caktuar), objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull, në tri nivele (në një lëndë dhe klasë të caktuar, modele testesh të hartuara prej tij (2-3 teste).Po kështu, në te duhet të përfshihet planifikimi i kurrikulës së lirë (për një lëndë të caktuar), vlerësim për punën e tij (nga vlerësues të jashtëm dhe të brendshëm). Pas depozitimit pranë Drejtorive Arsimore, portofoli i çdo mësuesi do t’i nënshtrohet një vlerësimi që do të bëhet nga specialistët e kësaj drejtorie. Ndërsa mësuesit që nuk do ta dorëzojnë një portofol të tillë, nuk do të munden t’i nënshtrohen testimit. Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit përgatitet nga vetë ata. Kjo është një praktikë shumë e njohur Perëndimore, e cila në vendin tonë u aplikua për herë të parë vitin e kaluar. Me tej, në fazën e dytë, provimi do të zhvillohet në Tiranë në 10 ambiente në datën 24 prill. Viti 2011, është i pesti që mësuesit dhe drejtuesit e arsimit parauniversitar iu nënshtrohen të njëjtave procedura për të marrë shkallën e kualifikimit.
Kush testohet
Provimeve të kualifikimit u nënshtrohen vetëm punonjësit e arsimit, të cilët deri më datën 31 dhjetor të vitit 2010 plotësojnë vjetërsinë 5, 10 dhe 20 vjet “, thuhet në udhëzimin e MASH-it. Mësuesit, që sipas këtyre afateve do të kenë punuar 5 vite pune si arsimtarë, kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim, kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura