Mesi sfidon Spanjën për kurorën e Botës, sonte sytë e gjithë futbolldashësve do të jenë në Amerikë

Jul 19, 2026 | 13:29

Argjentina dhe Spanja përballë në një duel historik në “Nju Jork Nju Xhersi Stadium”. Sonte sytë e gjithë botës do të jenë të drejtuar në Amerikë, ku do të zhvillohet finalja e madhe e Kupës së Botës 2026.

mesi

 Kampionia në fuqi, Argjentina, do të përballet me kampionen e Europës, Spanjën, në një sfidë që premton spektakël dhe një përplasje mes dy filozofive të ndryshme të futbollit.

Spanja rikthehet në finale pas 16 vitesh

“La Roja” mbërrin në finale pas një paraqitjeje gjithnjë e më bindëse gjatë turneut. Në gjysmëfinale, skuadra e Luis de la Fuente dominoi Francën nga fillimi në fund, duke kontrolluar lojën me zotërim të topit dhe efikasitet në fazën sulmuese. Rrugëtimi i Spanjës nisi me vendin e parë në Grupin H, edhe pse aventura nuk ishte pa vështirësi. Barazimi 0-0 ndaj surprizës së turneut, Kepit të Gjelbër, u pasua nga fitoret bindëse 4-0 ndaj Arabisë Saudite dhe 1-0 kundër Uruguait. Në fazën me eliminim direkt, spanjollët kaluan pa probleme Austrinë (3-0), ndërsa më pas siguruan dy fitore dramatike falë golave vendimtarë të Mikel Merinos ndaj Portugalisë (1-0) dhe Belgjikës (2-1). Pikërisht ndaj belgëve Spanja pësoi edhe golin e vetëm në të gjithë turneun. Forma e ekipit është rritur ndeshje pas ndeshjeje dhe triumfi ndaj Francës konfirmoi se Spanja ishte një nga favoritët kryesorë për titullin. Tani ajo rikthehet në finalen e Botërorit për herë të parë që nga viti 2010, kur fitoi trofeun në Afrikën e Jugut.

Mesi udhëheq Argjentinën drejt një tjetër finaleje

Argjentina ka përshkuar një rrugë shumë më të vështirë drejt finales së saj të dytë radhazi dhe të shtatës në histori. Kampionët në fuqi fituan të tre ndeshjet e grupit, të udhëhequr nga një Lionel Mesi i jashtëzakonshëm, i cili ka shënuar tetë gola në këtë Botëror dhe ka arritur në 21 gola në karrierën e tij në Kupën e Botës. “Albiceleste” mposhti Algjerinë 3-0 falë tripletës së Mesit, Austrinë 2-0 me dy gola të kapitenit dhe Jordaninë 3-1, ku sërish realizoi ylli argjentinas. Në fazën me eliminim direkt sfidat u bënë shumë më dramatike. Argjentina eliminoi Kepin e Gjelbër vetëm pas kohës shtesë (3-2), ndërsa ndaj Egjiptit realizoi një nga përmbysjet më të pabesueshme të turneut. Egjiptianët kryesonin 2-0 deri në minutën e 79-të, por skuadra e Lionel Scalonit shënoi tre gola radhazi për të fituar 3-2. Në çerekfinale, Argjentina kaloi Zvicrën pas kohës shtesë, falë golit spektakolar të Julian Alvarez, ndërsa Lautaro Martinez vulosi kualifikimin. Edhe gjysmëfinalja ndaj Anglisë ishte plot emocione. Anglezët kaluan të parët në avantazh me Anthony Gordon, por Argjentina reagoi sërish. Enzo Fernandez barazoi me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Lautaro Martinez, i futur si zëvendësues, shënoi golin e fitores 2-1, duke dërguar kampionët e botës në një tjetër finale.

Vetëm një precedent në Kupën e Botës

Spanja dhe Argjentina janë përballur vetëm një herë në historinë e Botërorëve. Takimi i vetëm daton në vitin 1966, në Villa Park, ku Argjentina fitoi 2-1 falë dy golave të Luis Artime, ndërsa për spanjollët realizoi Pirri. Në total, dy kombëtaret kanë zhvilluar 13 miqësore, me bilancin që favorizon lehtë Spanjën: 6 fitore për iberikët, 5 për Argjentinën dhe 2 barazime. Përballja e fundit ishte në vitin 2018 në Madrid, ku Spanja fitoi bindshëm 6-1.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura