Mund të jetë thjesht thashethem merkatoje, por e vërteta është se Interi është futur fuqishëm në garë për Karlos Tevezin dhe kjo gjë e ka shqetësuar jo pak klubin e Milanit. Presidenti Silvio Berluskoni dhe administratori i kuqezinjve, Adriano Galiani, janë nervozuar shumë me “kushërinjtë” e tyre, sepse kur dukej se kishin mbyllur gjithçka edhe me Sitin, tratativa e hapur nga zikaltrit pritet të vonojë sërish transferimin e sulmuesit argjentinas në radhët e “Djallit”. Gjithsesi, ujku i vjetër i merkatos italiane, Adriano Galiani, po mendon të ndërrojë skemë dhe mbase t’ia dorëzojë në një pjatë floriri Karlos Tevezin Interit, me kusht që Interi të dorëzohet dhe të vendosë t’i shesë Milanit as më shumë e as më pak, se Uesli Shnajderin. Presidenti Silvio Berluskoni kishte theksuar që pas ndeshjes së humbur me Barcelonën se Milani do të afrojë në skuadër futbollistë më teknikë për të ndërtuar një mesfushë dhe një lojë “alla Barcelonë”. Zikaltrit duan t’i shtojnë cilësi vetëm sulmit, sepse në mesfushë të rinjtë Alvarez, Obi e Kutinjo duket të jenë e ardhmja, ndaj nga Uesli Shnajderi pritet të fitojnë vetëm paratë që mund të çojnë te Karlos Tevezi. Në bisedimet e nisura me Mançester Sitin, Interi i ka ofruar plot 30 milionë euro klubit anglez, por po kaq kërkon të shesë Uesli Shnajderin, për të cilin është i interesuar dhe Siti. Gjithsesi, duke parë që Milani ka një parakontratë me Tevezin, presidenti Masimo Morati është i lumtur që t’ia dhurojë numrin 10 të skuadrës së tij kuqezinjve dhe të kënaqet me një sulmues si Tevez.
Pato “shtyp” skuadrën e Ançelotit
Ka përfunduar me rezultatin 1-0 ndeshja miqësore ndërmjet Milanit dhe PSG-së. Gjatë këtij takimi vërtet ka munguar spektakli, por kjo ndeshje do mbahet mend mbi të gjitha se golin e vetëm të takimit e ka shënuar pikërisht Pato, në minutën e 4-t të pjesës së parë. Goli që ka vendosur takimin, si për ironi të fatit është shënuar nga braziliani, për të cilin gjatë ditëve të fundit flitet shumë se mund t’i bashkëngjitet skuadrës së drejtuar nga ish-trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti. Gjithsesi, trajneri Alegri në fund të takimit mund të buzëqeshë, sepse ka marrë përgjigjet e duhura nga skuadra, por sidomos nga Pato.











