Mendje e zemër pranë aksionit tonë politik

Nov 7, 2011 | 10:33

LINDITA NIKOLLA

Kongresi i kthimit në ide, kongresi i rrugëtimit majtas, kongresi i programit politik, kongresi i “ardhjes ne vete” të një establishmenti politik etj…  janë disa prej qasjeve që politikanë e analistë i veshën kongresit të Partisë Socialiste. Pa dyshim argumenti është prezent për secilën prej qasjeve, edhe pse ky Kongres ishte vetëm fillimnisja e një rruge plot pasion, vizion, përkushtim e qytetari: Për një rilindje shqiptare.
Për mua personalisht, është Kongresi i katërt që ndjek si delegate, por i pari ku jam ndier totalisht sy e veshë, mendje e zemër pranë aksionit tonë politik, për të bashkuar partinë tonë me çdo shqiptare e shqiptar. Kongresi ku kam ndier e ndarë në liri një solidaritet ndryshe. Një solidaritet, që inspirohej nga qëllimi, i përcjellë në fjalën e Edi Ramës “Për ta futur politikën në çdo shtëpi, jo me erën e dasive të së shkuarës, por me fuqinë e propozimeve për të ardhmen.”
Partia Socialiste foli qartë. Ajo është e gatshme të përballet me sfidat konkurruese duke parë nga e ardhmja përmes një programi politik kurajoz dhe vullnetbashkuar. Secili prej pjesëmarrësve, mendoj se u ndje nevojshëm dhe mjaftueshëm gati, për të qenë pjesë e këtij aksioni.
Sigurisht, të ndihesh mirë apo ndryshe, në një forum të përmasës së tillë të përfaqësimit, nuk mjafton për të realizuar qëllimin. Çfarë dhe si inspiroi Kongresi? Po flas në vetën e parë, pasi jo vetëm parapëlqej të zhvilloj përgjegjësi duke filluar nga vetja, por edhe për të shprehur me tërë forcën e mendjes dhe zemrës gatishmërinë dhe vendosmërinë për t’i thënë po motivimit të Edi Ramës për të punuar fort, për të bërë Shqipërinë që duam, përmes një Partie Socialiste që i duhet Shqipërisë. Ndaj, mandati i delegates së këtij Kongresi ridimensionon peshën e vet në angazhimin tim postkongresual.
Është bukur, por pak vetëm të thuash që po. Unë isha aty kur u miratua ai program, fryt i një ekipi tre brezash në PS, që u flet shqiptarëve duke i parë drejt në sy dhe duke marrë përsipër rimëkëmbjen e ekonomisë, ripërtëritjen e shoqërisë, rivendosjen e demokracisë dhe ribashkimin me Europën.
Është po ashtu pak vetëm të citosh e frymëzuar pjesë të programit, nëse nuk flet më shumë me modelin e përfaqësimit. Ndaj, ky Kongres solli tek unë (ndjesi që i ndava dhe me shumë kolegë të tjerë) detyrimin për të “folur me forcën e shembullit që mishëron patriotizmin, qytetarinë, interesin publik dhe aspiratën tonë europiane”.
Në angazhimin tim si e zgjedhur vendore, modeli i Dhimo Kotes, që Kongresi e përshëndeti, është aty dhe më fton ta ndjek për të treguar se sa shumë mund të bëjmë me komunitetet tona, nëse ndërtojmë besim tek puna e përbashkët.
Ndaj, e inspiruar për të vijuar jo vetëm në rrugën e shërbimit për të gjithë dhe respektit për secilin, por edhe për të zhvilluar një protagonizëm të ri, për të nxitur dhe kurajuar përmes modelit të ofruar të përfaqësimit, shpirtin dhe frymën komunitariste.
Programi ynë për një rilindje shqiptare, kërkon nga ne përfaqësuesit e Partisë Socialiste që të trokasim zemër për zemër me forcën e arsyes dhe pasionin e ëndrrës së fëmijëve tanë, për të shpjeguar dhe pasuruar pikërisht këtë program bazë. Kur? Që sot e çdo ditë. Vetëm kështu ne do të bëjmë të mundur koalicionin më të madh të Partisë Socialiste me shqiptarët.
Si socialiste, si grua, si nënë unë jam gati ta bëj këtë.
*Kryetare e Njësisë Bashkisë Nr.1

© Panorama.al

Te lidhura