Samiu lindi në Frashër më 1 qershor 1850, u edukua në Janinë më 1861-1868 dhe i dha emër Perandorisë e Shqipërisë me krijimtarinë e tij në Stamboll prej vitit 1871 deri më 5 qershor 1904. Te mendja erudite e Samiut u bashkuan me një fuqi të paimagjinueshme forca parashikuese e trurit njerëzor dhe analiza e logjikës formale me mjeshtërinë artistike të përshkrimit. Në 54 vjet ai shkroi mbi 57 vepra. Autorë turq veprat ia dedikojnë otomanit Shemsedin Sami. Jusuf Akçura, krijuesi i njohur turk, e konsideron nacionalist turk, prandaj eshtrat e tij nuk vijnë në atdhe. Si nënshtetas otoman, në gazetën “Sabah” (Mëngjesi), Samiu deklaronte “jam shqiptar” dhe kundërshtonte tezën se shqiptarët myslimanë janë turq dhe ortodoksët shqiptarë janë grekë.
Me qëllim, në Enciklopedinë Turke ai e cilëson Frashërin “një fshat i madh ose qytet i vogël”, me 1500 banorë, ku banojnë myslimanë e ortodoksë, me tri xhami, një kishë, një teqe dhe njëzet dyqane. Samiu njihet si gazetar e kryeredaktor, krijues i veprave letrare e shkencore, përkthyes e krijues dramash, si atdhetar dhe mendimtar i Rilindjes Kombëtare, por mendoj se nuk njihet mendimi i hollë politik në veprat jo politike dhe dimensioni konstitucional në veprën: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”
Fillesat e mendimit politik në vepra artistike e shkencore.
Mendimi politik i Sami Frashërit nuk mund të kuptohet i shkëputur nga zhvillimet politike të Europës, të Perandorisë dhe Samiut si nënshtetas otoman dhe shqiptar i vërtetë. Historia politike shërben si kornizë brenda së cilës qëndron historia e institucioneve politike e juridike dhe mendimi politik i aktorëve veprues. Vilhem Leibnic vlerësonte se e tashmja është përplot me të kaluarën dhe e ngarkuar me të ardhmen (le present est plaint du passé et charge de l’avenir). Njohja e mendimit politik të Samiut shërben për të kuptuar prirjet moderne të ideve të tij në Perandorinë e sëmurë të Bosforit dhe fuqinë e ideve që zgjuan ndjenjën kombëtare shqiptare. Filozofia politike, metoda brilante e analizës dhe parashikimi i prirjeve dhe tendencave të zhvillimit, vizioni për të ardhmen dhe atdhetarizmi, janë frymëzuese edhe sot për të gjithë “botën shqiptare”. Me rënien e Napoleon Bonapartit dhe krijimin e Traktatit të Vjenës më 1814-n, Sulltani e drejtoi fuqinë ushtarake kundër dy pashallëqeve (nga katër që ekzistonin në Perandori), të Ali Pashë Tepelenës e Bushatllinjve të famshëm, të cilët, për mendimin tim, ndikuan në lindjen e ndjenjës kombëtare shqiptare, duke u mundësuar dhe grekëve që ta shfrytëzonin këtë situatë për të shpallur pavarësinë nga Perandoria. Janina me Zosimean e financuar nga shqiptari Zhapa dhe e mbështetur nga Ali Pasha (i cili jepte 1200 grosh në muaj), pas 1830-s u bë qendra e shkollimit për elitën shqiptare të Toskërisë, ku morën dije I. Qemali, K. Kristoforidhi, vlonjati Mehmet Ferid Pasha, ish-ministër i Brendshëm dhe më 1903-1908 Vezir i Madh, Abedin Dino, ish-ministër i Jashtëm, N. Frashëri e Hoxha Tahsini. Samiu në Zosimea shkëlqeu me shkollimin dhe mësimin në greqisht, latinisht, frëngjisht, arabisht, persisht e turqisht. Në vitet 1839-1876, në Perandori ndodhën procese reformuese, të cilat studiuesi Ahmet Xhevdet Pasha i emërtoi “Tanzimat” (Në literaturën e shkuar të historisë shqiptare gabimisht flitet për Reformën e Tanzimatit, kur në realitet tanzimat do të thotë reformë). Më 23 dhjetor 1876, reformatori më i madh i Perandorisë, Veziri i Madh Mit’hat Pasha, bashkëpunëtor i të cilit ishte I. Qemali, shpalli “Kanun-Esasi”, e cila ishte Kushtetuta e parë e Perandorisë së prapambetur. Sipas n.8-të, të gjithë individët e Perandorisë quheshin otomanë dhe të gjithë otomanët ishin të barabartë përpara ligjit në të drejta, pavarësisht fesë. “Tanzimati”, krahas tendencës laiciste, synonte përtëritjen e kombit islamik në dobësim e shthurje. Këtë tendencë e zbulon drama e famshme “Vatan veyahud Silistre”, (Mëmëdhe apo Silistri), e dramaturgut të njohur Namik Qemali, e shkruar më 1872-shin dhe e skenuar më 1873-shin. Si element lidhës midis kombit otoman dhe nënshtetasit “otoman”, autori i dramës vendoste fenë islame. Heroi i dramës, me emrin fetar Islam Beu, vatanin otoman e njësonte me ligjin e shenjtë, ndërsa Zekije Hanëmin, që shoqëronte burrin e saj në luftë e veshur si mashkull me kostum tradicional shqiptar, pasqyronte besnikërinë e shqiptarëve për Perandorinë. Mesazhi filozofik ishte i qartë. Mëmëdheu i të gjithë otomanëve ishte Perandoria dhe shqiptarët nuk duhej të mendonin për të krijuar shtetin e tyre, por vetëm t’i shërbenin Perandorisë. Në vitin 1874, Samiu 24-vjeçar, ndoshta i nxitur nga subjekti i dramës së Namik Qemalit dhe nga mllefi i syrgjynosjes në vitin 1872 në Tripoli të Libisë, shkroi dramën “Besa yahud Ahde Vefa”, fjala e nderit/ mbajtja e fjalës, me subjekte nga zona e Kurveleshit dhe Borshit. Samiu me aftësi të lartë artistike e ngarkesë emocionale të artikulimeve mjeshtërore të vëna në gojën e personazheve nga Shqipëria, maskonte idetë dhe mendimin e tij politik, që frymëzohej nga filozofia moderne franceze, pasi kishte përkthyer “Të mjerët”. Si nënshtetas otoman, krahas “vatanit të madh” – Perandorisë, trajtoi me finesë e guxim dhe “vatanin e vogël” – Shqipërinë. Ishte koha kur autorë të ndryshëm, shqiptarët i trajtonin si rebelë, të egër e të pabesë, të nxitur nga norma zakonore. Samiu, për kundërvënie e vendos institutin e “Besës” të së drejtës zakonore për të ngjallur ndjenjën kombëtare si detyrim ndaj kombit shqiptar. Me mjeshtëri, Samiu i përdor subjektet e dramës si një “akuzë” ndaj Perandorisë, e cila iu dha të drejtat kombëtare rumunëve/ortodoksë dhe latinëve/katolikë, duke ua mohuar shqiptarëve. Mendimi politik i Samiut mbulohet artistikisht kur Zyberi i shtresës së ulët i kujton aristokratit Demir Aga nga Tepelena se ligjet e padishahut nuk bëjnë dallime në të drejta, duke i kujtuar “tanzimatin/reformën”. “Sot padishahu ynë, – thotë Zyberi, – është ai që pranon dhimbje të mëdha për të na mbrojtur jetën, nderin dhe pronën. Ato kohë që ju shquheshit nuk vijnë më, perënduan njëherë e mirë”, i drejtohet Zyberi i varfër Demirit të pasur. Përmes elementeve artistike, Samiu kërkonte njohjen e të drejtave kombëtare të munguara e të mohuara. Fuqia e ideve politike të Samiut u shfaq katër vjet më vonë, në vitin 1878 me Lidhjen e Prizrenit, ku u lidh “Besa” e parisë së vilajeteve dhe u krijuan institucionet e para politike të qeverisjes. Pesë vjet më vonë, idetë u jetësuan duke krijuar “Shoqërinë e të shtypurit të shkronjave shqipe”, nga katoliku Pashko Vasa, ortodoksët Jani Vreto e Koto Hoxhi dhe myslimanët Hoxha Tahsin e Said Toptani, me kryetar 28-vjeçarin Sami Frashëri. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë u iniciua lidhja “Besa-Besë” e Pejës me kryetar Haxhi Zekën. Ky harmonizim e “kompozim” i bashkimit të aktorëve të besimeve të ndryshme është modeli që duhet ndjekur edhe sot, pasi politika anakronike e përçarjes, turpërisht e shndërroi festimin e përvjetorit të Lidhjes së Lezhës në përvjetorin e “Përçarjes së Lezhës”! Samiu njihet si shkrues i romanit të parë në Perandori, si mbrojtësi europian i të drejtave të gruas me broshurën “Kadinlar”, si hartuesi i enciklopedisë së parë otomane: “Kamus al-A’lam”/fjalor i emrave të përveçëm, me fakte të historisë, gjeografisë, kulturës, demografisë e të individëve, në gjashtë vëllime e 4380 faqe. Ai gjithashtu njihet si hartues i fjalorit të parë turk “Kamus-i Türki”, me dyzet mijë fjalë. Fjalori “Kamus al-A’lam” mund të konsiderohet një kumtesë e vërtetë politike për Shqipërinë e shqiptarët, sepse pas botimit të dy vëllimeve të para në vitin 1890, për familjen Frashëri filloi hetimi. Ali Nevzat Efendiu, aristokrat nga Gjirokastra dhe kajmekam i Kazasë, deklaroi se Samiu me Abdylin, që në Janinë kanë qenë për pavarësinë e Shqipërisë. Abdyli më 14 janar 1878 kishte mbajtur fjalimin provokues në Parlamentin turk për mungesën e përparimit të shtetit dhe kombit nga padituria, despotizmi dhe administrata e korruptuar, kurse Samiu e “teproi” me formulimet në veprën akademike “Kamus al-A’lam”. Së pari, me lashtësinë e popullsisë, gjuhën, historinë e vetitë e larta të personalitetit të shqiptarit, të cilat e dallonin nga popujt e tjerë. Ai nocionin Arnavud/shqiptari, e trajton në gjashtë faqe, kurse atë turk vetëm në tri faqe! Shqiptarët i trajton si popullin më të vjetër, edhe se sa grekët e romakët. Së dyti, instituti i “Besës” trajtohet si vlerë e shqiptarit, që për mbrojtjen e moralit, zakoneve të mira e nderit, të kombit, fisit, familjes dhe fjalën e dhënë, jep dhe jetën. Së treti, Samiu formulon se Shqipëri/Arnavudluk quhet vendi që përbëhet nga sanxhakët e Janinës, Gjirokastrës, Beratit, Leskovikut, Prevezës, Manastirit, Korçës, Dibrës, Prizrenit, Prishtinës, Novi Pazarit, Shkupit, Pejës, Shkodrës dhe Durrësit, duke krijuar hartën e Shqipërisë natyrale, e cila i paraprinte hartës politike. Së katërti, Shemsedin Samiu e përshkruan Skënderbeun, armikun e Perandorisë, si trim i jashtëzakonshëm, mjeshtër i artit të luftimit.
Së pesti, Nocionit komb/kavim i dha kuptimin politik, si termi frëng “nation”. Konceptin për kombin, Samiu e dimensionoi te vepra “Kamus-i Türki”/fjalori turqisht. Aty trajton se Arnavudluk është “kombi apo kombësia shqiptare dhe vendi i Shqipërisë, i cili përbëhet nga katër vilajete; Shkodra/Iskodra, Kosova, Manastiri dhe Janina”.
Sipas tij, në kongrese e konferenca politike, kombi merret më shumë në konsideratë se sa feja. Të fusje në fjalor këto trajtime duhej kurajë dhe autoriteti shkencor i tij, andaj Sami Frashëri mund të konsiderohet simboli “Kuq e Zi”, për të cilën krenohet Partia: “Lidhja për Drejtësi e Progres”.
Dimensioni i mendimit konstitucional te: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”
Vepra u shkrua dhe u botua pa emër në Bukuresht, më 1899-n. Emri u bë i ditur pas vdekjes së Samiut, më 19 nëntor 1904, nga Shahin Kolonja, dhëndër i Naimit. I frymëzuar nga vepra e katolikut Pashko Vasa, “E vërteta mbi shqiptarët”, Samiu krijoi një vepër të vërtetë politike me dimension konstitucionalist. Ai argumentoi shkencërisht se shqiptarët, ashtu si serbët dhe grekët, kanë trashëgiminë e vet historike prej pellazgëve deri te Skënderbeu, tek i cili, ashtu si shkruan Samiu: “gjithë pushtetat’e Evropës,.. kishin shpresë… e prisnin shpëtimin’e Evropës nga shqipëtarëtë… se nuk kishin trima e burra si Skënderbeu, as kishinë besën’e shqiptarëvet. Shumë herë Ungrëtë/maxharëtë e Papa e futninë Skënderbenë në zjarrt, pastaj hiqeshinë e lininë vetëm”.
Institucionet politike të shtetit në optikën konstitucionale të Samiut.
Në këtë vepër Samiu shpalos dimensionin e mendimtarit konstitucionalist. Projekti politik i Samiut ka ngjyra të forta kombëtare dhe frymë konstitucionaliste perëndimore. Ai dizajnon shtetin modern, me institucione politike, sipas parimeve të Monteskies, me pushtet legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, të ndara, të pavarura e të balancuara, me kryetar kolegjial shteti dhe qeverisje lokale të decentralizuar e të pavarur nga qeveria. Shqipëria parashikohej të ndahej në 15 ngastra e me kryeqytetet e tyre: Shkodra, Ipeku/Peja, Prizreni, Preshtina, Ysqypi/Shkupi, Manastiri, Dibra, Elbasani, Tirana, Berati, Korça, Kosturi, Janina, Gjirokastra e Preveza. Qeverisja do të bëhej me nome/ligje, nga Qeverindari. Kryeqyteti i Shqipërisë do të ndërtohej i ri, me klimë të shëndetshme e i bukur, me rrugë të drejta në qendër të Shqipërisë. Tirana/Belshi dhe do të quhej Skënderbegas. Çdo qytet i vogël do të quhej katundari/beledije. Këshilli i katundarisë do të krijohej nga mbledhja e përgjithshme me votimin çdo vit nga mbi 20-vjeçarët. Organi ekzekutiv do të ishte Kryekatundari, Nënkryetari, tre mise gjyqtarë të paqes “Judex de paix”. Shqipëria politike e Samiut përputhej me kufijtë natyralë të shqiptarëve, banues në katër vilajete prej 1869-s. Ajo do të ishte një qeveri mëmëdhetare, që të punojë pas nevojës e pas të drejtave të shqiptarëve. Me analizë logjike konstitucionale, fuqia parashikuese e tij dallon nga ajo e “elitës politike” të kohës, që zgjidhjen e çështjes kombëtare e pritnin nga Perandoria, ndoshta edhe nga frika e copëtimit nga fqinjët! Samiu paralajmëronte se Tyrqia as mund të ronjë paskëtaj, as di, as do të ronjë, edhe as duhet të ronjë. Sipas tij, shqiptarët kishin me vete të drejtën dhe fuqinë për t’u shkëputur nga Perandoria, sepse si thoshte: Ne s’jemi as tyrq, as të ardhur nga shkretëtirat’e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropës. Prandaj kërkonte një orë e më parë të ndahet Shqipëria e të dihet që ku e gjer ku është. Të njihet vendi ynë për Shqipëri, ta njoh edhe Evropa Shqipëri.
I çuditur pyeste: Perandoria i mban me dhelpëri e me tradhti, apo shqiptarët i lidhin vetë duart e tyre, të kënaqur me funksionet që u jepte “Baba dovleti”? Rast tipik është emërimi i vlonjatit Mustafa Ferit Pasha si Vezir i Madh, pasi Sulltani shkriu lidhjen “Besa-besë” të Pejës më 14 janar 1903 dhe në krizën maqedonase. Shqipëria kishte gjithçka që i duhej, por sipas Samiut, më parë se çdo gjë shqiptarët duhet të lidhin një besë të madhe e të përgjithçime në mes të tyre e të bëjnë një LIDHJE e një bashkim, që të pushtojnjë të tërë Shqipërinë.
Kryetari i shtetit/Pleqësia.
Ndryshe nga tradita monarkike e Ballkanit, forma e qeverisjes do të ishte Republika, sepse – mendonte Samiu – asnjë shqiptar nuk kishte trashëgimi monarkike dhe kryetari i shtetit mund të kthehej në burim konflikti midis gegëve e toskëve, myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve. Por nuk mund të vihej as dhe një i huaj se Princi a Mbreti i huaj do të vinte me një karvan hadëmë/skllevër, gra, arap, qerre, që do të harxhojnë shumë para dhe do të na prishë traditën e qeverisjes. Për traditën, Samiu i referohej Strabonit, i cili te vepra e tij “Gjeografia”, Plakoninë/Pleqësinë e trajtonte si formë e qeverisjes së Epirit në antikitet. Përse ta lëmë këtë zakon të bukur të qeverisjes, Pleqësia t’urdhëronjë e të mbretëronjë gjithënjë, – mendonte Samiu. Kryetari i shtetit/Pleqësia, do të ishte organ kolegjial me 15 anëtarë, nga një parësi për çdo ngastër, të cilët do të zgjidhnin me votim kryetarin dhe nënkryetarin. Kryetari i Pleqësisë do të kryente funksionin e Princit a Mbretit. Krej i Pleqësisë, nomet/dekretet do t’i firmoste pasi të merrte mendimin e pleqësisë. Krej i Pleqësisë do të priste e përcillte delegacionet, do të thërriste Këshill’e Përgjithçime e të mbante fjalën e hapjes, do të dekretonte kryetarin e qeverisë, do të dekretonte nomet (ligjet), që do dilnin nga Këshill’e Përgjithçime dhe do të drejtonte pleqësinë, e cila kishte mandat 4-vjeçar, gjysma e tyre do ndërrohej çdo 2 vjet. Pleqësia do të ndikonte në Këshillën e Përgjithshme duke mbajtur rrugën e mesme. Pleqësia do të ishte funksionale dhe do të mblidhej çdo ditë. Pleqësia do të kishte sekretarin e Përgjithshëm, të cilin Samiu e quante Kryeshkronjës, dhe çdo anëtar pleqësie do të kishte një këshilltar/shkronjës, të cilët nuk do të ndryshonin më (jo si tani që ndryshojnë sa herë ndryshon Presidenti). Mosha e anëtarit të Pleqësisë do të ishte mbi 30 vjeç, i cilët duhej të ishte i kënduar e i mësuar.
Këshill’e Përgjithçime dhe Këshilli i Ministrave.
Këshill’e Përgjithëçime do të ishte me 100 mis/anëtar, dy mis për çdo nëngastër/një mis për 20 mijë banor. Këshilli do të zgjidhej për 4 vjet, nga zgjedhës 20 vjeç, që paguanin 5 franga në mot e dinin shkrim. Miset e Këshillës Përgjithçime me moshë mbi 25 vjeç, arsim i lartë, t’i paguanin 10 franga qeverisë. Gjysma do të ndryshonin çdo dy vjet. Këshill’e Përgjithçime do të zgjidhte një krye dhe një nënkrye, do të mblidhej një muaj në mot, për buxhetin e qeverisë e do të miratonte nomet/ligjet që dërgonte qeveria. Ministri do të ishin shtatë. Një nga ministrat do të ishte dhe Kryeministër. Këshilli i Ministrave do të mblidhej 1-2 herë në javë. Këshilli i Ministrave do përgjigjej para Këshillës së Përgjithçime e Pleqësisë. Nëse Kryeqeverindari do të ishte nga Porta, mandati i tij do të ishte 5 vjet dhe do të legjitimohej nëse pranohej nga Pleqësia dhe Këshill’e Përgjithçime. Ministritë i emërtonte: Ministri e Punëve të Brendshme, Ministri e Jashtme, Ministri e Ushtrisë e Detit, Ministri e Begatisë/Financave, Ministri e Gjyqërisë/Drejtësisë, Ministri e Diturisë/Besëve, Ministri e Punëve të Përgjithshme, për udhët, hekurudhat, pyjet.
Drejtësia dhe pushteti gjyqësor.
Ministria e Diturisë a e Drejtësisë do të merrej edhe me punët e besëve duke pasur: një myfti i madh për myslimanët. Një eksark shqiptar për të krishterët ortodoksë. Një kryepeshkop për katolikët. Kryegjyshata e bektashinjve. Besimi do të ishte i lirë dhe për judenjtë e protestanët. Pushteti gjyqësor do të ishte i fortë e i pavarur dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë më të paguar se edhe kryetari i shtetit.
© Panorama.al












