
Ligji i mbetjeve përmbush të gjitha standardet e Bashkimit Europian. Kritikat edhe iniciativat për referendum kundër këtij ligji nuk janë gjë tjetër vetëm sulme politike. Këtë deklaratë bëri dje gjatë analizës vjetore për vitin 2011, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Ai theksoi se është i gatshëm për bisedime aty ku shihen probleme, ndërkohë që u shpreh se ka ikur koha kur mbetjet groposeshin. Ato tashmë duhet të shërbejnë për nisma pozitive në shërbim të komunitetit. “Në qoftë se ka një grup politik në Shqipëri i cili nuk e ka të drejtën morale për të dalë kundër neneve të caktuara të këtij ligji, është pikërisht Partia Socialiste. Kjo për vetë faktet e mënyrës së veprimit të saj në qeverisje me dy ligje që ka lejuar importin e mbetjeve me një vendim qeverie në vitet 2002-2003 dhe raportin e mbetjeve pa procedurë. Lista e gjelbër që ne miratuam 55 elemente, jam, pa dyshim, i hapur për të diskutuar me çdo njeri të interesuar që shikon një problem të vogël në këtë listë për ta reduktuar atë”, tha Mediu. Pas analizës së punës për vitin që lamë pas, Mediu prezantoi prioritetet për 2012-n. Ndër nismat kryesore ka përmendur atë të krijimit të një fondi të veçantë për mjedisin, ligjin e mbetjeve, ligjin për menaxhimin e integruar të ujërave, atë të peshkimit”. Miratimi i akteve nënligjore për implementimin sa më parë të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe ligjeve të tjera të miratuara në mbështetje të mjedisit. Forcimi i strukturës së kontrollit dhe inspektimi mjedisor, sidomos ndaj subjekteve publike dhe private dhe veçanërisht pushtetit lokal për zbatimin e legjislacionit mjedisor për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve dhe të ujërave”, tha Mediu. Ai theksoi se një tjetër prioritet, forcim i strukturës së kontrollit dhe inspektimit mjedisor, ndaj subjekteve publike dhe private dhe veçanërisht pushtetit lokal për zbatimin e legjislacionit mjedisor për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve dhe ujërave. “Do të merren masa për penalizimin dhe procedimin ligjor jo të institucioneve, por drejtuesve të tyre në rast të shkeljes së ligjit”, tha ministri i Mjedisit. Këtë vit pritet të nisë puna për Strategjinë e Ndryshimeve Klimatike dhe efektet e saj në Shqipëri.











