Mediat: Cana, një vlerë e shtuar për Lacion

Nov 8, 2011 | 11:33

Sinjalet që Edi Reja ka marrë nga Lorik Cana në ndeshjen e fituar ndaj Zyrihut, janë po aq të rëndësishme sa goli i shënuar nga Broki, i pari në Europë në jetën e tij të gjatë futbollistike. Mes dëmtimesh të rënda ose jo, mesfusha e Lacios po kalon një moment delikat dhe paraqitja pozitive e shqiptarit është pritur në “Formello” me një entuziazëm të kontrolluar, madje gati-gati me befasi. Reja është përpjekur gjithnjë që ta mbrojë lojtarin, i cili ka qenë shpeshherë shënjestër e kritikave edhe për shkak të bujës së madhe me të cilën është shoqëruar transferimi i tij në Romë. Karriera e Canës, e shpërndarë mes Francës (PSG-ja dhe Marseja), Anglisë (Sandërlend) dhe Turqisë, bashkë me pagesën e lartë që merr tek Lacio (1,7 milionë euro), “trashëgimi” e shkëmbimit të vendosur nga Gallatasaraj për të marrë Muslerën, e kishin rritur shumë pritshmërinë për kapitenin e Shqipërisë. Por gjatë gjithë kësaj kohe kanë munguar provat pozitive të lojtarit. I ngadaltë, shkakton shumë faulle, i shpërqendruar në mesfushë: trajneri i bardhekaltërve, për pasojë i ka lënë hapësirë vetëm pak minuta, që shpeshherë Cana nuk ka ditur t’i shfrytëzojë, aq sa dukej se Reja e kishte “ngelur” përfundimisht në klasë. Por goditja e bërë nga shqiptari kundër Zyrihut i ka bashkuar të gjithë në një mendje: më në fund është vënë re në fushë lojtari me eksperiencë ndërkombëtare dhe me karizëm që Lacio kishte blerë në verë.

© Panorama.al

Te lidhura