Mediat amerikane: SHBA-të përdorën në Venezuelë “armë sekrete zanore” që shkakton “Sindromën e Havanas”, për kapjen e Maduros! Çfarë ndodhi me rojet e ish-presidentit

Jan 13, 2026 | 14:09

Raporte nga mediat amerikane po bëjnë xhiron e botës, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një armë sekrete “zanore”, e cila shkakton simptomat e ashtuquajtura “Sindroma e Havanas” dhe dyshohet se është përdorur edhe gjatë një operacioni në Venezuelë për kapjen e ish-presidentit Nicolás Maduro.

flamuri amerikan pentagon

CNN raporton se Pentagoni po teston një pajisje me komponentë rusë, por që nuk është prodhim plotësisht rus, e blerë mbi një vit më parë në kuadër të një operacioni sekret të Departamentit të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës Biden, me një vlerë tetëshifrore. Pajisja thuhet se emeton valë radio pulsuese që shkaktojnë simptoma të rënda, përfshirë dhimbje koke të papritura, marramendje, humbje orientimi, si dhe probleme me dëgjimin, shikimin dhe kujtesën.

Një ish-roje sigurie nga Venezuela, i cili mori pjesë në operacionin për kapjen e Maduro, deklaroi në një video të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale:

“Dëgjuam një gjë të pazakontë… një valë shumë e fortë zanore. Papritmas më dukej sikur po shpërthente koka ime. Të gjithë filluam të gjakoseshim nga hunda, disa u përzunë me gjak. Ranë në tokë, të paaftë të lëviznim.”

Forbes raporton gjithashtu se një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete amerikane konfirmon se “armët me energji të drejtuar”, që përdorin mikrovala ose lazer, ekzistojnë prej vitesh në armatimin e SHBA-së. Nëse kjo histori është e vërtetë, ky do të jetë rasti i parë i njohur i përdorimit të tyre real në një operacion luftarak.

© Panorama.al

Te lidhura