ILIR KALEMAJ
Era e lirisë që fryu përgjatë vendeve arabe kulmoi me vrasjen e Gedafit në Libi dhe zgjedhjet e para demokratike ku u votua masivisht në Tunizi. Ishte pikërisht Tunizia që u dha frymë revolucioneve që shpërthyen tej e tej dhe ku ngelen të paktën dhe dy vende, të cilat janë në proces. Është Jemeni, ku Presidenti Saleh ka dhënë disa herë sinjalin se do largohet nën një trysni gjithnjë e më të madhe që buron veçanërisht nga brenda Jemenit, ku një nga gratë aktiviste së fundi mori dhe çmimin “Nobel” për Paqe dhe Siria, ku al-Asadi po ndjen një trysni të dyfishtë, brenda dhe jashtë vendit, dhe ku dora e hekurt diktatoriale duket se nuk po i tremb më rebelët. Ndërkohë, në vende të tjera, ku revoltat filluan ose kërcënuan se do të fillonin, si vendet e Gjirit Bahreini, Arabia Saudite, por edhe Maroku dhe Algjeria, në sajë të reformave të shpejta, të yshtura nga Perëndimi aleat për interesa gjeostrategjike, por edhe të ndihmuara nga pasuria relative e këtyre vendeve, revolucioni nuk u materializua. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që qëllimi primar nuk u arrit, pasi u arrit qëllimi kryesor, rritja e mirëqenies relative, veçanërisht për shtresat e ulëta dhe të mesme, një shkallë më e lartë pjesëmarrjeje dhe demokracie, gjithnjë në kuptimin rajonal të fjalës.
Çfarë ndodhi në kuptimin më të gjerë në këto vende? Pse kjo “valë e katërt demokratizimi” – nëse perifrazojmë Huntingtonin – ndodhi pikërisht tani? Amartya Sen ka argumentuar që “nuk ka një korrelacion të qartë mes rritjes ekonomike dhe demokracisë në asnjë drejtim”. Me fjalë të tjera, nuk është provuar që rritja ekonomike shoqërohet (detyrimisht) me rritje të demokracisë ose e anasjella. Rritja ekonomike apo rritja e nivelit të varfërisë, e nxitur edhe nga polarizimi gjithnjë e më i skajshëm shoqëror, duket se ka luajtur një rol qoftë edhe të pjesshëm në raste si i Egjiptit apo Jemenit, megjithatë, nuk duhet absolutizuar. Në Libi, shkaku kryesor që protesta e të afërmve të vrarë nga ana e regjimit të Gedafit që kërkonin kthimin e trupave që shërbeu si katalizator i protestave të paktën në momentin e parë. Në Siri, represioni gjithnjë e më i madh qeveritar dhe i shërbimeve sekrete e kështu me radhë. Pse pikërisht tani, ndonëse opozita (e heshtur apo aktive) ka ekzistuar për dekada me radhë? Sepse pikërisht tani u bë i mundur kombinimi i disa faktorëve të tillë si rrjetet sociale, që shërbyen si media alternative, të cilat bashkë me teknologjinë e informacionit, bënë të mundur shpërhapjen në kohë reale të mesazheve demokratike dhe që nxisnin revolta masive popullore. Këto, të kombinuara me ndihmën nga jashtë, bënë të mundur çrrënjosjen e këtyre regjimeve diktatoriale që ishin pasuruar skajshmërisht duke vjedhur, vrarë dhe përndjekur popullin e tyre.
Nëse i referohemi indeksit më të fundit të Freedom House, atij të 2011-s, organizata botërore që mat gjendjen e demokracisë në botë, duke i renditur vendet sipas shkallës së lirisë që disponojnë, duke renditur si të drejtat politike (procesin elektoral, shkallën e pjesëmarrjes dhe funksionimin e qeverisë), ashtu edhe liritë civile (lirinë e shprehjes dhe besimit, të drejtën për t‘u organizuar, shtetin e së drejtës dhe të drejtat individuale), gjejmë të dhëna interesante, të cilat shërbejnë si indikatorë të natyrës evolutive dhe progresive së lirisë dhe demokracisë sot në botë. Kështu, vëmë re se vendet e konsideruara jo të lira përbëjnë 46 vende, ato pjesërisht të lira (ku futet edhe Shqipëria) 57 vende, ndërsa vendet e lira tetëdhjetë e tetë. Por duhet theksuar se tri prej vendeve të konsideruara jo të lira (Egjipti, Tunizia dhe Libia), shumë shpejt mund të jenë të paktën te kategoria e vendeve pjesërisht të lira, për mos të thënë të lira komplet dhe këtyre vendeve mund t‘u bashkëngjiten dhe të tjera, duke e çuar brenda një kohe të shkurtër numrin e vendeve jo të lira në më pak se dyzet, për herë të parë që arrihet një numër i tillë simbolik në një botë që duket se po i përafrohet modelit më të pranueshëm ose së keqes më të vogël, nëse perifrazonim Çurçillin, atij të demokracisë liberale. E cila, sipas Przeworski-t, është e vetmja “lojë në qytet”, ndonëse kjo ngelet për t‘u parë, pasi për disa shtete, ky rregull, që nënkupton se kur demokracia konsolidohet ajo gjithëpranohet dhe është vështirë të ketë kthim mbrapa, nuk ka funksionuar universalisht. Mjaft t‘u referohemi disa prej vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, si Bjellorusia, vendet e Azisë Qendrore dhe së fundi edhe Ukrainës, por edhe vetë Rusisë post-Jelciniane për të kuptuar se procesi nuk është automatik apo vetëpërmbushës.
Për mos të folur pastaj për vende si ato të Lindjes së Mesme dhe botës arabe, apo në kontinentin afrikan, ku proceset e vonuara shtet-komb-formuese duket se në vend që të kompletojnë ato të ndërtimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, në fakt i antagonizojnë pasi ndarjet e mprehta shoqërore/klasore konkurrojnë me ndarjet etnike, fetare dhe tribale, të cilat kanë një logjikë të kundërt me shtet-ndërtimin. Rruga drejt demokracisë, asaj që nënkupton inter alia: një shoqëri që bazohet në mundësi të barabarta dhe meritë individuale në vend të hierarkisë dhe privilegjeve të paradestinuara, të një sistemi të drejtë rishpërndarjeje, të një sistemi që bazohet në principin e qeverisjes nga shumica, të një sistemi që mbron gjithashtu të drejtat e minoriteteve dhe pakicave, si një mënyrë për të fituar votë për t‘u zgjedhur si përfaqësues, si një formë qeverisjeje që u shërben interesave të publikut pavarësisht shkallës së pjesëmarrjes së tyre aktive në jetën politike, është një rrugë e vështirë, “a rocky road”, siç thonë amerikanët, por rruga e duhur, e vetme dhe që garanton të drejtat natyrale të gjithsecilit prej nesh. Nëse i referohemi sërish Amartya Sen-it, “ndonëse demokracia nuk është në mënyrë uniforme e zbatuar njëlloj, në klimën e përgjithshme të opinionit botëror, qeverisja demokratike ka marrë tashmë një status që merret si e mirëqenë se është zgjidhja e duhur”.











