Më shumë se dhimbje për qytetin tim, Bulqizën

Sep 21, 2011 | 10:20

SELAMI XHEPA

Nuk e kam aspak emocionin dhe as pështjellimin që të më mundojë së brendshmi nëse do të rivotohem të jem deputet ose jo. Fatmirësisht jetojmë në një botë me mundësira të pakufishme dhe po aq sfiduese, qoftë në planin profesional, apo dhe të përgjegjësisë qytetare. Gjëja më e rëndë dhe peshuese që besoj se rëndon te çdo person publik apo politik i ndershëm, është një shprehje hidhëruese e të madhit Mark Tuen, që shkruante diku: “Sot më ka ndodhur gjëja më e çuditshme në jetë; kam parë një politikan të fuste duart në xhepin e tij”. Por, në pozicione të tilla, gjithkujt, herët apo vonë, mund t’i qëllojë të bëhet pjesë e debateve të tilla dhe pendesën apo barrën më të madhe të ndërgjegjes gjithkujt i bie ta ballafaqojë me moralin e vet individual. Dramat më të mëdha dhe të rënda për një njeri janë ato të ndërgjegjes, që individi i vuan brenda shpirtit të tij. Zoti i mëshiroftë këta njerëz, kushdo qofshin ata – do të ishte një fjali kristiane për raste të tilla, edhe pse njerëz të tillë i kanë harruar apo kurrë nuk i kanë mësuar leksione të tilla të moralit të shëndoshë.
Si deputet i Bulqizës e kam përcjellë dhe vazhdoj ta përjetojë me shumë dhimbje dhe keqardhje gjendjen në qytetin tim, paraqitjen në ekranet televizive të jetës në qendrat minerare, siç është Bulqiza, por jo vetëm ajo, me një paralele të dukshme për standardet e një shoqërie paraindustriale të fillimshekullit të 19-të. Sipas meje, kjo është drama e dhimbshme e kushteve të jetesës së banorëve në pothuaj të gjitha qendrat minerare të krijuar rishtas në vitet e komunizmit dhe që vazhdojnë të jenë trashëgimia më e trishtë e asaj kohe. Nga Martaneshi në Kurbnesh, nga Selishta në Tërrnovë, nga Kërraba e Valiasi, tek Memaliaj e Përrenjasi, sot ndesh vetëm histori – kryesisht trishtuese – tek vështron gjeografinë e transformuar dhe mjedisin e shkatërruar që kanë lënë pas, si dëshmi të çmimit të suksesit të viteve të socializmit! Burimet e dikurshme të pasurimit të Shqipërisë u shndërruan në “varreza” gjigande për banorët e këtyre zonave. Malet me gur që i rrinë mbi kokë qytetit tim, janë perdja e trishtueshme e zezë e viteve të komunizmit, të viteve kur minatorët dërgoheshin në “të dielat e Enverit” drejt vdekjes së sigurt dhe kur varfëria ishte rraskapitëse (edhe pse në memorien e dikujt mund të jenë ngulitur si mallëngjyese ditët kur në klub dilte birrë dhe qyteti dukej se ishte në festë apo kur në dyqan shiteshin këmisha sintetike, si gjithmonë me një numër të mjaftueshëm për më të fortët dhe stoikët e radhëve të gjata). Edhe pse gjendja është disi ndryshe sot, sërish në raport me standardet e kohës ku jetojmë realiteti vazhdon të peshojë rëndë në të gjithë ndërgjegjen e kombit – sepse me ato ton kromi të nxjerra, u ndërtua Shqipëria, por u varfërua dhe u rrënua Bulqiza dhe qytetet e tjera tashmë më shumë fantazma të së shkuarës.
Zakonisht thuhet se djalli qëndron te detajet, dhe unë nuk i njoh detajet e kontratës koncesionare, kush punon e kush nuk punon si kontraktor apo nënkontraktor, si transportues apo si tregtar, sepse asnjëherë nuk kam menduar dhe nuk mendoj se këto hyjnë në detyrat e një deputeti. (Dhe unë jam i parimit që në jetë bën mirë që secili të shohë e të bëjë mirë punën e vet.) Por, nuk përjashtohet aspak që persona të caktuar, me apo pa asnjë lidhje politike, që duken herë si qengja e herë si ujqër të veshur me lëkurën e qengjit, të nxjerrin përfitime të pamerituara dhe të mos e marrin kurrë ndëshkimin e drejtësisë. Edhe pse, pra, çështja e këtij koncesioni është shumë komplekse, disa të vërteta janë më se të dukshme.
Kjo çështje filloi në vitin 2001, me një kontraktor të “psonisur” diku nga vendi fqinj, në një mënyrë që nuk është bërë asnjëherë publike e transparente, për të cilën nuk ka asnjë dokument të bërë publik se si është përzgjedhur, si është negociuar, si është arritur në lidhjen e kontratës dhe kjo kontratë mbeti jetime deri në vitin 2006-2007, kur minatorët filluan protestën e tyre. Në më shumë se 5 vite kompania kishte krijuar një mal me borxhe të pashlyera si ndaj subjekteve private apo publike dhe nivelet e pagave ishin të barabarta me ato të fasonistëve që presin e qepin këmisha nëpër shtëpi.
Kontraktori i ri, me gjithë të metat dhe mosrealizimet që janë evidentuar dhe bërë publike nga raportet e zyrtarëve të qeverisë (nuk mund të ketë raporte konfidenciale kur ato shkruhen nga 20 specialistë) dhe për të cilat janë vendosur edhe penalitete sipas rregullave të kontratës, ka bërë disa përpjekje për ta ndryshuar jetën në minierë, duke përmirësuar pagat, kushtet e punës, standardet e sigurisë dhe disa vepra bamirësie, si një zhvillim modest i përgjegjësisë sociale të firmës. Koniunktura e favorshme e çmimit të metaleve në tregje, sigurisht që rrit me të drejtë edhe pretendimet e punëtorëve, të komunitetit dhe të gjithë shoqërisë që edhe përfitimet e tyre të jenë më të mëdha dhe në raport të drejtë me fitimet që krijohen në këto rrethana. Për këto arsye, gjithmonë i kam konsideruar të drejta kërkesat e tyre dhe në kërkimin e këtyre të drejtave minatorët kanë pasur si mbështetje edhe qeverinë dhe të gjitha strukturat e shtetit. Megjithëse me vonesë dhe në një mënyrë të sforcuar, kompania koncesionare i pranoi kërkesat e minatorëve dhe, kur ishte gati të nënshkruante marrëveshjen, u shtua edhe një kusht tjetër për ndryshimin e drejtorit lokal të firmës, një çështje që prek direkt në të drejtën private të çdo individi më raport me punëdhënësin e vet. Një çështje e tillë, të cilën po e sjell në këtë shkrim vetëm për aq sa me të lidhet ky ngërç që është krijuar, pasi kjo është një çështje tërësisht private e atyre dy personave – drejtorit dhe pronarit të kompanisë, – në mendimin tim nuk mund të përdoret si një kauzë minatorësh, njerëz që në perceptimin tim dhe besoj edhe të publikut, mbeten simbol i dëlirësisë dhe pastërtisë shpirtërore, sepse djallëzinë jua kanë lënë njerëzve të mbitokës. (Meqenëse dëgjova në një emision të TCH një kryesindikalist që po aludonte sikur unë si deputet mbështes drejtorin, do të shuaj kuriozitetin e lexuesit, të ndonjërit që mund të ketë ndonjë kuriozitet të tillë, se në minierën e Bulqizës kam lidhje personale dhe interesi të drejtpërdrejtë vetëm me dy njerëz, të cilëve u kërkoj shumë ndjesë që po i përmend publikisht – me kunatin dhe me vëllanë tim që punojnë si punëtor krahu duke shtyrë vagonët e kromit në galeri. Me gjithkënd tjetër më lidh vetëm interesi publik dhe përgjegjësia ime qytetare ndaj tyre).
Ajo që po ndodh në Bulqizë sigurisht që ka ngritur shumë pikëpyetje dhe pyetje të ligjshme, që kërkojnë të adresohen në interesin më të mirë publik. Por, përtej efikasitetit dhe ekonomizimit të shfrytëzimit të burimeve natyrore, çështja e korrupsionit është kryetema me pasojat më shkatërrimtare për moralin dhe të gjithë fabrikën sociale të shoqërisë. Në gjithë historinë njerëzore, njeriun më shumë se varfëria e ka munduar padrejtësia. Prandaj, si deputet i këtij qyteti kam ndërmend t’i propozoj grupit tim parlamentar dhe parlamentit të mbështesë një iniciativë ligjore për rritjen e transparencës publike të kompanive koncesionare që punojnë në shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendit. Në një përpjekje ligjore për të rritur detyrimin e kompanive për informim publik, do të propozoj që në ligjin minerar të përfshihen nene specifike për të detyruar kompanitë të publikojnë çdo pagesë që ata kryejnë (Publish what you pay!) dhe regjistri i pagesave të jetë i hapur për inspektim publik, sipas një mekanizmi që të lejojë transparencën më të lartë të publikut për çdo transaksion të kompanive koncesionare. Po kështu, publiku dhe këshilli i qytetit të jenë administratorët e të ardhurave që krijon qyteti nga vjelja e rentës minerare, një risi që është futur për herë të parë në praktikën e vendit tonë që nga ky vit. Të jenë vetë minatorët dhe ish-minatorët që të përcaktojnë se çfarë projektesh të zhvillojnë për qytetin.
Si një apel të fundit, u drejtohem sërish minatorëve në grevë që t’i bëjnë thirrje arsyes për të rikthyer normalitetin në jetën e qytetit. Të dëgjojnë zërin e familjeve që po hyjnë në vështirësi për mbijetesë, të fëmijëve të shkollave që nuk kanë me se të paguajnë librat dhe mjetet mësimore. Kushdo që po e instrumentalizon këtë lëvizje sindikaliste për qëllime personale apo për llogari politike, do të mbajë mbi vete edhe peshën e rëndë të padrejtësisë që po i bëhet qytetit tim, Bulqizës.
*Deputet i qarkut Dibër

© Panorama.al

Te lidhura