Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, në qytetin e Vranje, gjatë ceremonisë për Ditën e Kujtimit të viktimave të agresionit të NATO-s në vitin 1999, deklaroi se çdo luftë që po zhvillohet sot në botë, çdo akt dhune dhe shkelje e parimeve dhe ligjeve ndërkombëtare, nuk ka nisur dje, por më 24 mars 1999 me sulmin ndaj Serbisë.
Ai e përshkroi këtë datë si momentin kur u shpall fundi i së drejtës ndërkombëtare, rendit ndërkombëtar, së vërtetës dhe drejtësisë.
“Edhe sot, megjithatë, mund të themi se gjërat i shohim më qartë. Nuk ka më asnjë dyshim, gjithçka është e zbuluar dhe e pastër. Çdo luftë që vazhdon në botë, çdo dhunë sot, çdo shkelje e parimeve dhe ligjeve, nuk ka nisur dje, ka nisur më 24 mars 1999. Dhe nëse dikush pyet sot pse shkelet e drejta ndërkombëtare, përgjigjja e vetme dhe e saktë është për shkak të lejes së dhënë më 24 mars 1999”, tha Vučić para Galerisë së Muzeut Kombëtar në Vranje.
Vučić përmendi se kjo ishte hera e 13-të që merr pjesë në përkujtimin e fillimit të agresionit të NATO-s, ndërsa shtoi se i është ofruar Çmimi Nobel për Paqen nëse do të njihte pavarësinë e Kosovës, por shtoi se e ka refuzuar.
“Të huajt më kanë thënë mijëra herë, ‘do ta fitosh Çmimin Nobel, thjesht njihe Kosovën e pavarur. Shiko nga e ardhmja, mos shiko prapa, mos shiko nga e kaluara’. Dhe unë u përpoqa të shikoja nga e ardhmja dhe, ashtu siç thotë Pekić, gjithmonë ndoqa gjurmët e fëmijëve të mi, më pak të paraardhësve të mi, por pavarësisht se si shikoja në të ardhmen, në atë të ardhme gjithmonë do ta shihja Kosovën dhe Metohinë dhe Serbinë time, dhe nuk mund të hiqja dorë nga kjo dhe nuk do ta bëj kurrë”, tha Vučić.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij, Vuçiç deklaroi se Serbia është më e përgatitur se më parë për të mbrojtur veten, duke theksuar se nuk ekzistojnë më objektiva të paarritshëm për vendin.
“Nuk ka më qëllime të pakapërcyeshme për ne dhe askush nuk mund të mendojë se do të sulmojë Serbinë pa u ndëshkuar”, shtoi Vuçiç.
Presidenti serb deklaroi më tej se Serbia nuk ka në plan të sulmojë as kroatët dhe as popullin shqiptar, por vetëm të mbrojë vendin e vet.
“Ne nuk do të sulmojmë askënd, as kroatët dhe as shqiptarët, por do ta mbrojmë vendin tonë,” tha Vuçiç.
© Panorama.al












