“Më mungon! Puthje nga Brukseli!”- Udhëtimet e Epsteinit për gratë në Evropë, rrjeti i tij i kontakteve në Belgjikë dhe agjencitë e modelingut për trafikimin e vajzave

Feb 5, 2026 | 22:03

Një rrjet i gjerë kontaktesh në Bruksel, me korrespondencë drejtuar personave me ndikim dhe agjencive të modelingut për gra në Europë, ishte ndërtuar dhe mbajtur për rreth dhjetë vjet nga financieri amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Kjo del në pah nga një seri zbulimesh të reja, bazuar në rreth 3.5 milionë dokumente që Departamenti Amerikan i Drejtësisë bëri publike së fundmi.

-epstein (1)

Dokumentet e reja tregojnë se Epstein planifikonte vazhdimisht udhëtime drejt kryeqytetit belg, ku ndodhen institucionet kryesore të Bashkimit Europian, dhe se kishte kontakte aktive në Bruksel gjatë periudhës 2010–2019. Asnjë nga takimet e supozuara nuk ishte bërë publike më parë, por email-et dokumentojnë një sërë udhëtimesh të mundshme, si të vetë Epstein-it ashtu edhe të ndërmjetësve që duket se vepronin në emër të tij.

Prokurorët pretendojnë se Epstein kishte “krijuar një rrjet të gjerë viktimash të mitura me qëllim shfrytëzimin e tyre seksual”, ndërsa dokumentet tregojnë një korrespondencë të përsëritur që lidhet me gra në Europë.

Më konkretisht, sipas një publikimi të POLITICO, në një email të vitit 2010 përfshihet përshkrimi i një gruaje me emrin “Kelly C.”, e cila thuhet se ishte propozuar nga një agjenci modelesh me bazë në Bruksel, e quajtur Casting Factory. Mesazhi përshkruan përmasat e saj trupore dhe thekson se ajo kishte “karakter shumë të mirë”.

POLITICO nuk arriti të identifikojë agjencinë, e cila nuk ka më një faqe interneti aktive. Një vizitë në adresën e përmendur në email-e, pranë bulevardit Louise në qendër të Brukselit, zbuloi një ndërtesë që sot duket e braktisur.

Në të njëjtën korrespondencë shfaqet edhe një përfaqësues i MC2 Model Management, agjenci e bashkëthemeluar nga bashkëpunëtori i ngushtë i Epstein-it, Jean-Luc Brunel. Brunel u gjet i varur në qelinë e tij në një burg në Paris në vitin 2022, ku mbahej i arrestuar për akuza për përdhunim të të miturve dhe trafikim fëmijësh për shfrytëzim seksual. MC2 nuk funksionon më dhe nuk ishte e mundur të jepte koment.

Mesazhe të tjera të së njëjtës periudhë përfshijnë referenca për fluturime të ardhshme drejt Brukselit, si edhe fraza më personale, si: “Më mungon))) Puthje nga Brukseli”.

Në një tjetër shkëmbim mesazhesh, një dërgues i panjohur informonte Epstein-in se kishte zhvilluar një video-thirrje me një grua që dukej “mjaft simpatike”, megjithëse nuk mund t’i dallonte qartë fytyrën. Gruaja thuhet se “po priste vizë” dhe kishte punuar si booker në një agjenci modelesh. Dërguesi kërkoi leje për të udhëtuar në Bruksel, ndërsa financierit të dënuar iu përgjigj: “Po, për udhëtimin në Bruksel”.

Në vitin 2011, një email nga një asistente e Epstein-it përmendte se “Jean-Luc telefonoi për të përshëndetur dhe për të njoftuar se po largohet sonte për në Bruksel”, pa dhënë detaje të tjera.

Një nga udhëtimet e planifikuara të vetë Epstein-it duket se ka qenë jashtëzakonisht i shkurtër. Sipas një shënimi rezervimi të janarit 2019, ai planifikonte të udhëtonte me tren nga Parisi, i shoqëruar nga francezë dhe ukrainas, të mbërrinte në stacionin Gare du Midi rreth orës 17:00 dhe të largohej pak pas orës 20:00. Qëllimi i vizitës mbetet i panjohur.

Në email-et përfshihen edhe sugjerime restorantesh në Bruksel. Një kontakt e përshkruante Belga Queen, një restorant elegant i vendosur në një ish-ndërtesë banke në qendrën historike, si një nga “më të mirët” e qytetit.

Në vitin 2019, ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, raportohet se kishte rezervuar një tavolinë në Brasserie des Étangs Mellaerts për një takim me Epstein-in. Restoranti refuzoi të konfirmojë rezervimin. Lajčák dha dorëheqjen së fundmi nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare, duke deklaruar se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme, por se ndihej “budalla” që kishte mbajtur kontakte me financierin amerikan pas dënimit të tij.

Ndërkohë, dokumentet tregojnë se Epstein komentonte shpesh politikat e Bashkimit Europian. Në vitin 2018, ai shkëmbeu email-e me ish-këshilltarin e ekstremit të djathtë të Donald Trump-it, Steve Bannon, lidhur me planet e Komisionit Europian për rregullimin më të rreptë të kriptomonedhave. “Duhet ta ndalojmë këtë, këtu dhe tani”, shkruante Bannon, ndërsa Epstein përgjigjej se “vijat e betejës për rregulloret e BE-së po përcaktohen”.

Një dokument tjetër tregon se një studiues i sigurisë kibernetike e kishte ftuar Epstein-in të komentonte një fjalim të tij në Parlamentin Europian në vitin 2015, mbi rregullimin e softuerëve të mbikëqyrjes. Përfshirja e emrit të tij në dokumente nuk nënkupton automatikisht veprimtari të paligjshme dhe studiuesi, përmes avokatit të tij, refuzoi të komentojë.

Së fundi, princi Laurent i Belgjikës konfirmoi se ishte takuar dy herë me Epstein-in, pasi emri i tij u shfaq në librin e adresave të publikuar të financierit. Ai theksoi se nuk kishte pasur asgjë të papërshtatshme dhe se doli publikisht për t’i dhënë fund “thashethemeve” rreth tij.

© Panorama.al

Te lidhura