Me leje nga burgu, i shpëton atentatit

Nov 10, 2011 | 9:41

Një i ri nga qyteti i Laçit, i dalë me leje nga burgu, është tentuar të vritet pak minuta pasi ka dalë nga banesa e tij. Artur Suti ka hipur në makinën e tij, përballë Komisariatit të Policisë së Kurbinit, rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur është qëlluar nga një tjetër makinë me breshëri automatiku. Sipas Policisë, ndaj tij kallashnikovi është shkrehur dy herë, por fatmirësisht as Suti e as i afërmi që udhëtonte me të në makinën “Fiat Punto” nuk është prekur nga plumbat. Kjo dhe për shkak të devijimit që i ka bërë makinës Suti, sapo ka pikasur autorin të nxjerrë armën nga mjeti. Autori dyshohet se ka qenë i vendosur për eliminimin fizik të Sutit, teksa ka qëlluar përballë komisarit të policisë së Kurbinit, në shëtitoren kryesore të qytetit dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Pas atentatit të mbetur në tentativë, policia e Kurbinit ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Ajo ka marrë në pyetje Sutin, i cili mendohet se ka dhënë emrin e atentatorit. Në vendin e ngjarjes u gjetën 12 gëzhoja automatiku. Suti ishte dënuar me 5 vjet për kundërshtim të forcave të policisë.

© Panorama.al

Te lidhura