“Më datë 23 para Kuvendit, kanë frikë nga ne”- Aktivisti: Kanë fshirë datën e seancës plenare, bëjnë ligje për të vjedhur! S’na përfaqëson as Sara Mile, as Zegjineja dhe as…

Jul 20, 2026 | 20:10

Protesta e ditës së 51-të mblodhi sërish sot një masë të madhe qytetarësh që shprehën revoltën e tyre ndaj qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Pas marshimit drejt Kryeministrisë, protesta u hap nga aktivisti Edison Lika, i cili tha se deputetët e Kuvendit ishin trembur nga protesta e tyre dhe sot u fshehën skutave për të hyrë në godinë.

Lika tha se Kuvendi kishte hequr nga faqja zyrtare datën e 23 korrikut për seancë, e cila është edhe e fundit. Por shtoi se pavarësisht kësaj, ata do të jenë aty në protestë.

“Edhe sot u futën skuthave nga frika. Çfarë përfaqësuesish të popullit janë këta që kanë frikë nga populli që i ka votuar. Kjo tregon se ata nuk janë përfaqësuesit tanë, por të oligarkisë ekonomike dhe krimit të organizuar të Parlamentit shqiptar. Më datë 23 kur është seanca e fundit plenare të mblidhemi para parlamentit. Por në faqen zyrtare të Kuvendit kjo datë është fshirë, nuk ekziston, e di çfarë do të thotë kjo, se ata kanë frikë nga ne. Kush është ky kryetar parlamenti, kush janë këta deputetë që datën 23 nuk e kanë seancë plenare. Por edhe nëse ata nuk e kanë datën 23 seancë, ne do të jemi aty”, tha Lika mes të tjerash.

aktivisti

Ai deklaroi se deputetët kishin frikë t përballeshin me guximin e qytetarëve. Lika denoncoi Parlamentin se bënte ligje për të vjedhur Shqipërinë.

“Sigurisht ata fshihen prej nesh, nuk kanë guxim të shohin në sy, e dinë se nuk janë përfaqësuesit tanë, e dinë se nuk janë votuar. Por ata e dinë se çdo ligj është për ta vjedhur këtë vend. Pikërisht për seancën e fundit plenare që është parashikuar të mbahet më datë 23 ne do jemi atje, më shumë se kurrë, më të fortë se kurrë, do të jemi atje për t’u thënë se nuk na përfaqësoni”, vijoi ai.

Në fund, aktivisti kujtoi se deputetët e Parlamentit nuk përfaqësojnë popullin, as të majtët dhe as të djathtët.

“Nuk na përfaqëson as Sara Mile e krimit të organizuar, nuk na përfaqëson as Zegjineja dhe as Albana Vokshi. Ne përfaqësojmë veten tonë vetë. Ndaj më 23 korrik t’u japim përshënmdetjen e fundit te Kuvendi”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura