Më 31 janar pritet të fillojë rigjykimi për rastin e nëntë shqiptarëve të dënuar nga Presheva, të quajtur nga autoritetet serbe si “Grupi i Gjilanit”, që është ngarkuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë ndaj civilëve serb.
Gjykata e Apelit e Serbisë më 7 dhjetor anuloi aktgjykimin e gjykatës së lartë serbe për krime lufte, e cila shqiptoi dënim prej 101 viteve për nëntë shqiptarët.
Nëntë Shqiptarët e komunës së Preshevës, Agush Memishi, Faton Hajdari, Ahmet Hasani, Nazif Hasani, Samet Hajdari, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti, Selimon Sadiku dhe Burim Fazliu u arrestuan në datën 26 dhjetor 2008, me akuzën se gjatë dhe pas luftës së vitit 1999 në Kosovë kanë kryer krime lufte ndaj civilëve serb në zonën e Gjilanit.
Gjykata e Apelit rikthye çështjen me arsyetimin dhe sugjerimin se fare nuk ishin marrë parasysh dëshmitë e palës mbrojtëse, se dëshmitari kryesor i Prokurorisë “Bozhuri 50”, kishte rënë në kundërshtim të plotë me fjalët e veta, se i njëjti plotësisht ishte ngatërruar në data, në emra dhe në emërtimet e vendbanimeve.
“Kësaj radhe, pas vendimit dhe sugjerimeve të qarta të kësaj Gjykate, gjithsesi në pritje te vendimeve të mëdha për rajonin e sidomos për Serbinë, do të duhet të kemi një shpresë më të madhe”, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, kryetari i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Preshevë, Orhan Rexhepi.
Lajmi për përsëritjen e këtij procesi gjyqësor është mirëpritur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kërkojnë që drejtësia të dal në shesh dhe të shmangen përgjithmonë proceset e montuara politike. (R.Demiri/INA)
© Panorama.al











