Tenton t’i shpëtojë jetën të birit duke dalë para plumbave, mbetet i vrarë 62-vjeçari. Ngjarja që tronditi mbrëmë banorët e Fierit ndodhi rreth orës 22:00, në lagjen “8 Shkurti”.Policia bëri të ditur se ka mbetur i vrarë shtetasi Kol Veshi, ndërsa është plagosur rëndë djali i tij 23-vjeçar, Eni Veshi. Pas të shtënave me armë, familjarët e viktimës, por edhe banorë të pallatit, kanë dalë menjëherë jashtë nga ku janë ndeshur me 62- vjeçarin që nuk jepte asnjë shenjë jete, ndërsa djali i tij kishte rënë gjithashtu pa ndjenja pasi edhe ai kishte marrë plumba në trup. Menjëherë viktimat i nisën drejt spitalit të Fierit, por mjekët konstatuan se 62-vjeçari Kol Veshi kishte ndërruar jetë. Mësohet se edhe djali i tij është duke luftuar me vdekjen në spital. Mjekët thanë se gjendja e tij është mjaft e rëndë dhe se deri në orët e vona ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Në vendin e ngjarjes mbërriti menjëherë policia e Fierit, e cila nisi hetimin dhe kërkimet për autorin e vrasjes. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se autori e viktima kanë pasur një sherr pak minuta para ngjarjes, vetëm pak metra larg banesës së këtij të fundit. Pasi ka dëgjuar tonet e ashpra të të birit me një tjetër person, Kol Veshi, me profesion inxhinier nafte, ka dalë jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Por, pikërisht në këtë moment, autori i kishte drejtuar armën të birit 23-vjeçar. Ai i ka dalë përpara të birit për ta mbrojtur nga plumbat, por vrasësi nuk është kursyer duke qëlluar disa herë në drejtim të tyre. Për pasojë, 62-vjeçari ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa djali i tij mbeti i plagosur rëndë. Banorët e tronditur sinjalizuan menjëherë policinë, e cila nuk vonoi të shkonte në vendin e ngjarjes. Forca të shumta të policisë u organizuan në aksion për kapjen e autorit. Blutë vendosën postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e Fierit, në mënyrë që të mos i lihej mundësia të largohej. Ndërkaq, po kryhen kontrolle në disa vende të dyshuara. Policia bëri të ditur mbrëmë se janë shoqëruar disa shtetas si të dyshuar apo në cilësinë e personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen. Por, deri në orët e vona, autori ishte ende i lirë. Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë si motiv një hakmarrje të mundshme. Kjo për shkak se një vit më parë, djali i viktimës plagosi rëndë me armë zjarri dy shtetas. Ngjarja ndodhi në muajin gusht, në lagjen “Liri” të Fierit, kur dy 20-vjeçarët, Julian I. dhe Endrit B., janë konfliktuar me Veshin dhe me një tjetër person. Pas një sherri që ka zgjatur disa minuta për një celular, Eni Veshi ka nxjerrë një pistoletë të tipit “TT”, të cilën e mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtimit të tyre duke i lënë të plagosur.
Precedentet ne Tirane e Korçe
Më 22 gusht të këtij viti, në Tiranë u ekzekutua një 49-vjeçar në tentativë për të shpëtuar të birin. Avdulla Vrapi u vra ndërsa mbuloi me trupin e tij të birin që të mos e kapnin plumbat. Autorët e ngjarjes tentuan t’i vrisnin djalin pas një sherri për gërvishtjen e makinave. Ndërsa në fshatin Pojan të Korçës, 75-vjeçari Petrit Zeneli u vra pak muaj më parë me mjete të forta. I moshuari doli për të shpëtuar të birin që po e rrihnin, por mbeti viktimë e agresorëve.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











