Mbrojtja “fut ujë”, mesfusha në alarm

Sep 20, 2011 | 12:26

Shtatë gola ka pësuar Milani gjatë tri ndeshjeve të fundit. Dy kundër Lacios e Barcelonës dhe tre ndaj Napolit. Shumë për një Milan, i cili pikën më të fortë gjatë sezonit që shkoi kishte pikërisht mbrojtjen. Megjithatë, ajo që e shqetëson më tepër teknikun kuqezi, janë dëmtimet e shumta në mesfushë. Në 38 ndeshjet e sezonit që shkoi, mbrojtja e Milanit ka pësuar 24 gola. Një mesatare prej 0.6 golash për ndeshje. Nëse kuqezinjtë do vazhdonin t’i qëndronin besnikë kësaj mesatareje, sot do të kishin 3 pikë më shumë në kampionat. Ndërsa në mesfushë lojtarët numërohen me gishta. Holandezi Van Bomel është mbrapa me përgatitjen fizike, gjë që u dallua qartë kundër Napolit. Sedorf nuk mund të luajë dy ndeshje radhazi brenda një jave. Sa për mesfushorët që i mungojnë Milanit, si: Boateng, Ambrozini, Gatuzo dhe Robinjo, në rast se do ishin në fushë, mund t’i kishin dhënë një tjetër rrjedhë sfidës me Napolin, meqenëse që të katërt kanë qenë titullarë fiks në atë Milan, që u shpall kampion i Italisë.

© Panorama.al

Te lidhura