
Humbja e kontrollit të automjetit i ka kushtuar jetën një 22-vjeçari nga Gjirokastra, ndërkohë që kanë ngelur të plagosur rëndë motra dhe i ati i viktimës, të cilët ishin pasagjerë.Elidjan Gjika, 22 vjeç, nga fshati Kolonjë në Gjirokastër, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër, në orën 06:45 të mëngjesit të së dielës.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fushave të fshatit Luzat, rreth 3 km në të hyrë të qytetit të Tepelenës. Automjeti tip “Mercedez-Benz” me targë GJ 2901 A, i drejtuar nga viktima, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën metalike anësore mbrojtëse të autostradës. Përplasja ka qenë mjaft e fortë, saqë direku metalik mbrojtës i aksit rrugor e ka çarë mes për mes automjetin. Si pasojë e kësaj përplasjeje me bordurën metalike, automjeti është dëmtuar rëndë së bashku me lëndimin e tre personave që gjendeshin në bord. Policia e

Tepelenës ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë transportimin e personave të lënduar në spitalin e Gjirokastrës për të marrë asistencën mjekësore. 22-vjeçari nuk ka arritur dot të mbërrinte i gjallë në spital, pasi nuk u rezistoi dot plagëve të rënda që kishte pësuar gjatë përplasjes fatale me murin mbrojtës metalik. Ndërsa dy pasagjerët, i ati dhe motra e 22-vjeçarit, Myslym dhe Argjiro Gjika, ndodhen të shtruar në spital për ekzaminime mjekësore të mëtejshme dhe momentalisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje ka konstatuar se shkaku i kësaj përplasjeje dhe dalja nga rruga e automjetit ka qenë humbja e plotë e kontrollit të drejtimit të tij nga ana e drejtuesit 22-vjeçar. Në këtë zonë, në një gjatësi prej rreth 2 kilometrash, rruga është e drejtë dhe pa kthesa të forta. Të tre pjesëtarët e një familjeje po ktheheshin nga kryeqyteti dhe dyshohet që shpejtësia dhe lagështira e krijuar në rrugë ka shkaktuar daljen nga rruga të mjetit, duke shkaktuar aksidentin fatal për Gjikën. Nga burime të policisë pohohet se familja Gjika ishte nisur herët nga Tirana, ku kishte qenë për një problem familjar dhe po udhëtonin drejt fshatit Kolonjë të Gjirokastrës.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Kjo është viktima e tretë për këtë vit e regjistruar si pasojë e aksidenteve rrugore në Jug të vendit.
3 persona
udhëtonin në makinën e aksidentit të djeshëm, në të cilin humbi jetën një 22-vjeçar dhe u plagos rëndë babai dhe motra e drejtuesit të makinës
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











