Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet paraditen e kësaj të shtune, 21 mars, në Durrës. Mbledhja e socialistëve është parashikuar të nisë në orën 10:00.
Fjalën hapëse do ta ketë Sekretari i përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi për të vijuar më pas me kryeministrin Edi Rama. Sipas Balkan Web, në fokus të kësaj mbledhjeje është riorganizimi i Partisë Socialiste.
Po ashtu mësohet se kryefjalë e diskutimeve do të jetë puna e organizatave socialiste në rang vendi, udhëzimet për zgjedhjet e brendshme të partisë. Do të bëhet edhe një analizë e detajuar mbi performancën në zgjedhjet parlamentare në maj 2025 si dhe fokusin për zgjedhjet e radhës, ato të 2027-ës.
Socialistët do të riformatojnë strukturat e brendshme që nga baza, kryetarët e organizatave socialiste dhe zgjedhjen e forumeve të reja, proces zgjedhor që pritet të përfundojë më 12 qershor, datë e cila përkon edhe me 35 vjetorin e krijimit të PS-së.
Po ashtu, synimi i tyre është që të krijojnë edhe struktura në diasporë, kryesisht në vendet me më shumë shqiptarë.
Kjo mbledhje vjen pas ndryshimeve të bëra në qeveri nga kryeministri Rama.
© Panorama.al












