
Një delegacion nga qeveria e tranzicionit ka mbërritur dje në Paris që të deklarojë planet e tij për vendin e shkatërruar, ndërsa Britania dhe Franca u vlerësuan për dërgimin e tyre drejt suksesit.Ndërkohë që në Libi beteja kundër Gedafit dhe forcave të tij vazhdon, anëtarë të Këshillit Nacional të Tranzicionit morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Miqtë e Libisë”, me 60 liderë të botës, të organizuar nga Kryeministri britanik, David Kameron dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Rebelët u pritën nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Presidenti francez e përshkroi NATO-n si një “mjet të domosdoshëm” për të mundur Gedafin. “Për herë të parë që nga viti 1949, NATO u vendos në shërbim të një koalicioni të drejtuar nga dy vende europiane, Franca dhe Britania e Madhe”. Konferenca e djeshme përkoi me 42-vjetorin e ngjitjes së Gedafit në fuqi, pas grushtit të shtetit të vitit 1969. Tema të diskutimit ishin korrupsioni dhe të drejtat e njeriut, që kanë karakterizuar regjimin e tij. Një raport i KE tregoi se vrasje masive kanë ndodhur nga të dyja palët. Faktor tjetër diskutimi ishte edhe shqetësimi ekonomik, me “ngrirjen” e miliarda eurove nga nafta dhe gazi natyror. Synim ishte edhe sigurimi nga ndërkombëtarët, se Libia nuk do të bjerë në situatën e mungesës së ligjit, siç ndodhi pas luftës në Irak. Pritet që në Libi brenda 18 muajve të mbahen zgjedhje të reja. Kryetari i Këshillit të Tranzicionit, Mustafa Abdel Jalil, përmendi synimet e shpejta për ndryshimin e Kushtetutës. Edhe Rusia dhe Kina, të cilat e kundërshtuan aksionin e NATO-s në Libi, morën pjesë në konferencën e djeshme.
Njohja nga Rusia
Rusia e ka njohur lëvizjen rebele si qeveria e ligjshme aktuale e Libisë. I dërguari i Rusisë u shpreh se vendi i tij do të mbrojë interesat ekonomikë që ka në Libi. Këshilli pritet të mbështetet tani edhe nga vende të tjera si Kina dhe Algjeria, presioni ndaj të cilave do të rritet. Kina, një investuese e madhe në Libi, ka rënë dakord të dërgojë në fund të afatit një përfaqësues në konferencën e Parisit dhe ka theksuar se OKB tani duhet të marrë rolin drejtues për të ardhmen e Libisë. Këshilli tashmë është zotuar të shpërblejë të gjithë ata që kanë pasur një rol drejtues në mbështetjen e revoltës, por po tregohen të kujdesshëm që të mos paraqiten si një “kukull e perëndimit”.
Mohimi për “pazare”
Këshilli Nacional i Tranzicionit në Libi e ka mohuar një raport, ku thuhet se ata po i ofrojnë Francës një të tretën e prodhimit të naftës së vendit në këmbim të mbështetjes politike, njoftoi AFP. Gazeta franceze “Liberation” raportoi dje se Këshilli ka dërguar një letër që daton “3 prill” tek Emiri i Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, ku premtohet 35 për qind e prodhimit të naftës libiane për kompanitë franceze për një “mbështetje të plotë dhe të përhershme të Këshillit” nga Franca. Mansour Sayf al-Nasr, përfaqësues i Këshillit, tha në Paris se një letër e tillë nuk është dërguar dhe nuk janë bërë premtime të tilla.
Hiqen sanksionet
Këshilli Europian vendosi të heqë sanksionet ndaj 28 kompanive libiane. “Objektivi ynë është të furnizojmë burimet për qeverinë e përkohshme dhe popullin e Libisë, si dhe të ndihmojmë ekonominë që të rimarrë financimet e veta”, tha përfaqësuesja për politikën e Jashtme të BE-së, Katerine Ashton.
Mesazhi i Gedafit
Gedafi ka paralajmëruar dje se ata nuk do të dorëzohen dhe se trupat e tij ishin të mirarmatosur dhe gati për betejë. Madje, ai ishte i gatshëm edhe të shkatërronte Libinë. Ky ishte mesazhi i fundit sfidues i kolonelit. Nën një regjistrim zanor të transmetuar në një televizion, ish-lideri libian tha se fiset e vendit ishin ende shumë besnike ndaj tij dhe po përgatiteshin për ta mbrojtur. “Ne nuk do të dorëzohemi. Ne nuk jemi gra, ne do të vazhdojmë të luftojmë”, tha Gedafi. Gedafi ka qenë në arrati që nga 20 gushti, kur rebelët morën nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit. Besohet se aktualisht ai ndodhet në fshatin Bani Ualid.
Refuzimi i Algjerisë
Muamar Gedafi i ka telefonuar Presidentit algjerian, Abdelaziz Bouteflika, për të negociuar një kalim në vendin e tij, por telefonata e tij është refuzuar. Duke cituar një burim pranë presidencës, gazeta algjeriane “El Uatan” shkruante se “Gedafi u përpoq të kontaktonte me Presidentin Bouteflika me telefon, por ky i fundit e refuzoi thirrjen. Një këshilltar i tha se ishte i zënë me ngjarjet në Algjeri”. Ministri i Jashtëm algjerian, Mourad Medelci, tha dje se Algjeria nuk i ofronte strehim Muamar Gedafit personalisht, edhe pse ka lejuar gruan e tij dhe tre nga fëmijët e tyre që të qëndrojnë në këtë vend.











