
Brenda vitit të ardhshëm 2012, të dënuarit shqiptarë jo me burg apo të arrestuarit me masa sigurie jashtë qelive, do të mbikëqyren me pajisje elektronike GPS si në vendet perëndimore. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, prezantoi dje në prani të përfaqësuesve të sistemit të Drejtësisë, Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, projektligjin mbi mbikëqyrjen elektronike të ekzekutimit të dënimeve. Gjatë diskutimit ku ishin të pranishëm deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Viktor Gumi, ish-zv.ministri i Drejtësisë si dhe zv.ministrja znj. Brikena Kasmi, Halimi theksoi se synimi i projektit është të arrijë modelet e shkëlqyera europiane. “Siguria publike e qytetarëve, përmirësimi i shërbimeve ndaj tyre, përmirësimi i qeverisjes nëpërmjet dixhitalizimit dhe modernizimit të veprimtarive qeveritare, janë prioritet absolut i Ministrisë së Drejtësisë, ndaj kjo nismë është një hap pozitiv në këtë drejtim”, tha ministri i Drejtësisë. Ai theksoi se reforma me dixhitalizimin e sistemit të vuajtjes së dënimit me mbikëqyrjen elektronike synon uljen e popullsinë në burgje, përmirëson më tej trajtimin e personave që kanë kryer ose dyshohen se kanë kryer një vepër penale, lehtëson procedurat e komunikimit të të dënuarve më të afërmit e tyre, si dhe sjell ulje të kostove në buxhetin e shtetit. Ardit Hysa, këshilltar i ministrit të Drejtësisë, prezantoi draftin ndërkohë që projektligji u vlerësua edhe nga eksperti i OSBE-së, Adrian Nessel. Mbikëqyrja elektronike nënkupton identifikimin e vendndodhjes së një personi ndaj të cilit ka një vendim gjyqësor penal për kufizimin e lëvizjes, nëpërmjet një pajisje elektronike që vihet në trupin e tij dhe një aparati GPS që transmeton vendndodhjen. Ajo fillimisht do të aplikohet te 300-500 persona gjatë vitit të ardhshëm, thanë burimet e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas saj, nevojat për hartimin e këtij projektligji erdhën për shkak të mungesës së legjislacionit në këtë drejtim. Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me ekspertët e OSBE-së dhe ata të shërbimit të provës, ka kaluar procesin e draft-hartimit të projektligjit, ndërkohë që më pas pritet kalimi në dy faza të tjera, infrastrukturës si dhe implementimit. Mbikëqyrja elektronike do të ndihmojë policinë dhe burgjet në zbatimin e detyrave. Kjo pasi vetëm gjatë vitit 2010, Policisë së Shtetit i është dashur të paguajë një fature financiare prej më shumë se 3 milionë eurosh për të ruajtur personat me masa arresti në shtëpi.











